Vetëm dy ditë na ndajnë nga dita e zgjedhjeve, më 12 tetor, kur qytetarët do të dalin për të dhënë votën e tyre dhe të përcaktojnë përfaqësuesit e rinj në pushtetin lokal. Ndërkohë fushata zgjedhore nga njohësit e çështjeve politike po vlerësohet si e qetë dhe me tone më të moderuara krahasuar me fushatat e mëparshme.
Njohësja e politikës, Besa Luzha, ka thënë se fushata ka qenë e qetë dhe më e përqendruar në përmbajtje. Ajo vlerësoi se, ndryshe nga zgjedhjet qendrore, në këtë garë lokale ka pasur më shumë përballje dhe debate mes kandidatëve, duke e konsideruar këtë një shenjë pozitive për demokracinë vendore. “Fushata ka qene relativisht e qetë, kandidatët për kryetarë komunash kanë pasur debate edhe përballje më shume se në zgjedhjet qendrore dhe gjuha ka qenë më e kujdesshme dhe në kuadër të garës”, vlerësoi Luzha.
Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve pas raundit të parë, duke theksuar se koalicionet eventuale në nivel lokal mund të hapin rrugën për bashkëpunime edhe në nivel qendror. “Sa i përket bashkëpunimit, besoj se do të ketë nevojë për bashkëpunime në raundin e dytë dhe këtë e shoh si momentum pozitiv, që të eliminohen polarizimet dhe të shtrihet rruga për bashkëpunime… Këto bashkëpunime në nivel lokal, do të mund të ishin nxitje për bashkëpunime edhe në nivel qendror, sepse tashmë është shumë e qartë edhe përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese se pa bashkëpunim politik nuk mund të formohen institucionet”, ka thënë ajo.
Nga ana tjetër, Albert Krasniqi nga organizata Demokracia Plus (D+), ka ofruar një pasqyrë më kritike të fushatës, duke theksuar mungesën e entuziazmit qytetar dhe mungesën e risive në mënyrën e organizimit. “Fushata zgjedhore në nivel lokal ka pasur një interesim pak më të vogël të qytetarëve, për shkak të mungesës së stabilitetit institucional dhe mungesës së përgjegjësisë nga partitë politike në ofertat e tyre”, tha Krasniqi. Sipas tij, fushata është zhvilluar kryesisht pa ndonjë risi që mund të zgjonin interesin e publikut, ndonëse ka pasur përqendrim më të madh në prezantimin e programeve. Krasniqi theksoi se koalicionet do të jenë të pashmangshme me partitë që nuk arrijnë në balotazh duke u rreshtuar pas alternativave më të forta për të siguruar pjesëmarrjen në qeverisjen lokale.
Ai veçoi Prishtinën si një rast i veçantë ku gara për asamblenë komunale po shihet si një mundësi me shumë interes për individët dhe bizneset, për shkak të ndikimit që asamblistët mund të kenë në vendimmarrje dhe planet zhvillimore. “Në Prishtinë gara për asamble komunale po shihet si një mundësi për përfitime. Votat janë shumë më të vlefshme, jo vetëm për rimbursime, por edhe për ndikim në vendime që lidhen me biznese dhe interesa të tjera lokale”, theksoi Krasniqi.
Në lidhje me pritshmëritë për ditën e votimit, Krasniqi shprehu besimin se procesi do të jetë i rregullt, duke u bazuar në përvojën e kaluar zgjedhore në Kosovë. Megjithatë, ai nuk la pa përmendur vështirësitë që mund të paraqiten në komunat veriore. “Kosova tashmë ka një traditë të mirë zgjedhore dhe nuk pritet ndonjë tension i madh. Por pjesa veriore vazhdon të mbetet sfidë, ku shpesh janë raportuar presione dhe blerje votash, sidomos për të favorizuar Listën Serbe”, tha ndër të tjera Krasniqi.
