Presidenti Emmanuel Macron ka thirrur sot në një takim krerët e partive kryesore politike të Francës përpara një afati të vendosur për të emëruar një kryeministër të ri, pasi kreu i bankës qendrore të vendit paralajmëroi se kriza politike po frenonte rritjen.

Macron ështё në kërkim të kryeministrit të tij të gjashtë në më pak se dy vjet dhe do të duhet të gjejë një personalitet, i cili të pëlqehet nga qendra e djathtë deri tek qendra e majtë, në mënyrë që të miratojë një buxhet përmes një parlamenti të fragmentuar dhe të përçarë.

Zyra e presidentit tha vonë të mërkurën se ai do të emëronte kryeministrin e tij të ardhshëm brenda 48 orëve.

Franca, ekonomia e dytë më e madhe e eurozonës, është e zhytur në krizën e saj më të thellë politike në dekada, trazira pjesërisht të shkaktuara nga vendimi i presidentit për zgjedhje të parakohshme vitin e kaluar, të cilat e dobësuan më tej pakicën e tij në parlament.

Deficiti ekonomik në Francë parashikohet të arrijë në 5.4% këtë vit, pothuajse dyfishi i kufirit të Bashkimit Evropian. Kryeministri i parafundit i Macron-it, Francois Bayrou, u rrëzua nga Asambleja Kombëtare për shkak të planeve të tij për kursime prej 44 miliardë eurosh për ta ulur deficitin në 4.6%.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: