Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se në dy vite ka shpenzuar 23 mln euro vetëm për udhëtime me charter.

Ai ka vendosur një paralele mes Ramës dhe Maduros apo Kim Jong Un, ndërsa u ka bërë një apel shqiptarëve që të ngrihen kundër vjedhjeve.

“RamaDuro vendos të sekretojë shpenzimet e tij, të shndërrojë në sekret shtetëror shpenzimet që bën me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ky akt ka precedentë në Shqipëri vetëm diktatorin Enver Hoxha, ka paralele në botë vetëm Maduron dhe Kim Jong Un. Ka shpenzuar në 2 vite 23 mln euro vetëm për chartera. Apel për shqiptarët të ngrihen kundër flamurtarit të vjedhjes”, tha ai.

Sali Berisha: Ramaduro vendos të sekretojë shpenzimet e tij. Të shndërrojë në sekret shtetëror shpenzimet, të cilat i bën me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ky akt ka precedent në Shqipëri vetëm diktatorin Enver Hoxha. Ky akt ka paralel në botë Kim Jong-unin dhe Maduron e Venezuelës. Ky akt shpall, zyrtarizon, ligjëron vjedhjen, shpërdorimin nga një hajdut- ose hajduti më i madh i këtij kombi në 113 vite.

Ky akt i sekretimit të shpenzimeve bie ndesh me Kushtetutën, me ligjet themelore të vendit. Njeriu që hap shishe Romanee Conti 33 mijë euro në drekat e tij, kërkon tani të sekretojë shpenzimet.
Njeriu që ka shpenzuar në dy vite 23 milionë euro udhëtime me çarter, 141 udhëtime me çarter për pushime, për vakanca, për konferenca, tani kalon në një akt tjetër që nuk ekziston në asnjë vend tjetër përveç Koresë së Veriut dhe Venezuelës. Edi Rama u thotë shqiptarëve: do t’u vjedh dhe ju të mos merrni vesh. Por ky shtet, në vitin 2009, në emër të transparencës, të mbrojtjes të parave të taksapaguesve shqiptarë, ka vendosur shpenzimet e thesarit online. Dhe kjo ka qenë në kuadrin e një nisme botërore të luftës kundër korrupsionit. Ky sistem i bën të mundur çdo qytetari të kontrollojë çdo qindarkë që shpenzohet nga taksat e tij të nesërmen e shpenzimit. Edi Rama vendos të sekretojë shpenzimet e tij vetëm e vetëm për të mbuluar vjedhjet e veta dhe familjare të taksave të qytetarëve shqiptarë. Ky është një apel dhe një kushtrim për çdo qytetar shqiptar të ngrihen kundër flamurtarit të vjedhjes në të gjithë historinë e shtetit shqiptar.

Po, gjatë diktaturës, diktatori Enver Hoxha i kishte sekret shpenzimet dhe i kishte të pakufishme. Por diktatori Hoxha, duhet të pranojmë, se shtëpinë katërkatëshe të re që ndërtoi, nuk e regjistroi as në emër të vetin, as të familjes së tij. Jo. E regjistroi pronë shtetërore dhe ajo sot është pronë shtetërore. Njeriu që ka bërë 140 e sa udhëtime me avion taksi për veten e tij, dhe që akuzohet se me këtë avion ka transferuar me valixhe diplomatike qindra milionë euro të drogës dhe të trafiqeve, të bitcoin-eve dhe të tjera. Akuzohet se ka transferuar ngarkesa droge.

Që refuzoi komisionin hetimor parlamentar për hetimin e këtyre transfertave. Që refuzoi komisionin hetimor parlamentar për të verifikuar të dhënat që thonë se valixhet diplomatike të çarterit të Edi Ramës janë më numerike se të të gjithë kryeministrave evropianë të marrë së bashku në një vit. Apo të presidentëve. Tani kaloi në një akt, thashë edhe njëherë, që ka ekzistuar në Shqipëri vetëm në kohën e diktatorit Enver Hoxha. PD nuk do pajtohet kurrë me një vendim të tillë të turpshëm të Edi Ramës dhe kukullave të tij, që siç duket janë në një verbëri të plotë, nuk kanë asnjë interes publik, asnjë interes qytetar, nuk njohin asnjë ligj, asnjë Kushtetutë, asnjë normë, asnjë standard përveç Edi Ramës dhe interesave të tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb