Dy të rinj kanë përfunduar në telashe me policinë, pasi akuzohen se prishën qetësinë publike, gjatë natës, me zhurmat e marmitave të motomjeteve që drejtonin pa leje, në sheshin “Taulantia”.
Pas hekurave ranë shtetasit me inicialet K. P., 21 vjeç, banues në Tiranë dhe L. B., 24 vjeç, banues në Durrës.
“Prishën qetësinë publike, gjatë natës, me zhurmat e marmitave të motomjeteve që drejtonin pa leje, në sheshin “Taulantia”, arrestohen 2 shtetas. Gjatë patrullimeve 24-orëshe, me objektiv garantimin e sigurisë publike dhe parandalimin e paligjshmërive, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës konstatuan gjatë natës, se 2 të rinj po shqetësonin banorët dhe qytetarët në sheshin “Taulantia” dhe në zonën përreth, nëpërmjet gjenerimit të zhurmave nga sistemet e shkarkimit të 2 motomjeteve që drejtonin.
Për këtë paligjshmëri, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, u krye arrestimi në flagrancë i shtetasve K. P., 21 vjeç, banues në Tiranë dhe L. B., 24 vjeç, banues në Durrës.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ata nuk ishin të pajisur me leje për drejtim të motomjeteve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.”, sqaron policia.
