Presidentja e Perusë, Dina Boluarte, u shkarkuar nga detyra ditën e enjte pasi partitë politike të vendit kërkuan rrëzimin e saj nga ky post.

Kjo kërkesë vjen si pasojë e hetimit ndaj Boluarte për muaj të tërë lidhur me akuza të ndryshme.

Ajo akuzohet për ryshfet dhe përfshirjen e shtypjes vdekjeprurëse ndaj protestuesve në 2022.

Presidentja peruane i ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka refuzuar pjesëmarrjen në votimin e së enjtes.

Ndërkaq, Kongresi e miratoi shkarkimin e saj, duke e theksuar se Boluarte ka pasur përherë paaftësinë morale për tu përballur me sulmin e krimit të organizuar në vend.

Me shkarkimin e saj, do të veprojë si president i përkohshëm presidenti i Kongresit, José Jerí Oré.

Në vitin 2022, Boluarte u bë presidentja e parë femër e Perusë, pasi paraardhësi i saj Pedro Castillo u arrestua dhe u akuzua se u përpoq të instalonte një qeveri emergjente.

Akuzat më serioze, kanë të bëjnë me vdekjen e më shumë se 60 personave gjatë një shtypjeje nga forcat qeveritare të sigurisë ndaj protestave që pasuan rrëzimin e Castillos.

Ajo akuzohet gjithashtu për pranimin e orëve Rolex dhe bizhuterive të tjera si ryshfet, si dhe për transportimin e një politikani në arrati me një automjet presidencial.

Por akuza më e rëndë është se ajo e braktisi postin e saj për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale plastike në hundë në vitin 2023 duke neglizhuar informimin e Kongresit ose delegimin e kompetencave të saj gjatë mungesës së saj gati dy-javore, siç ishte e detyruar me kushtetutë të bënte.

Boluarte këmbënguli se operacioni ishte ” thelbësor ” për shëndetin e saj. Kirurgu që kreu operacionin e mohoi këtë, duke thënë se të gjitha ishin procedura kozmetike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb