Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbajti të premten mbledhjen e 66-të të këtij viti dhe akreditoi 28 media vendore dhe ndërkombëtare për të vëzhguar Zgjedhjet Lokale për kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale më 12 tetor 2025.

Sipas njoftimit për medie, vendimi u mor me procedurë qarkulluese, ndërsa paraprakisht Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike kishte rekomanduar akreditimin e këtyre organizatave “pas vlerësimit të dokumentacioneve të dorëzuara dhe informacioneve nga burime të ndryshme, përfshirë Këshillin e Pavarur për Media dhe Këshillin e Mediave të Shkruara në Kosovë”.

Për këtë vendim ka reaguar Misioni i OSBE-së në Kosovë, i cili ka “përshëndetur ngrohtësisht” vendimin e KQZ-së për të akredituar mediat në gjuhën serbe dhe mediat e tjera, duke vlerësuar se kjo masë forcon parimet gjithëpërfshirëse.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë përshëndet ngrohtësisht vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të akredituar mediat në gjuhën serbe dhe mediat e tjera për mbulimin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën, më 12 tetor. Ky hap gjithëpërfshirës forcon parimet e transparencës, barazisë dhe lirisë së medias – elemente thelbësore për zgjedhje të lira dhe të drejta”, thuhet në reagim.

OSBE shton se qasja në informacion në të gjitha gjuhët e komuniteteve është një komponent kyç i kuadrit shumetnik dhe demokratik të Kosovës.

“Qasja në informacion në të gjitha gjuhët e komuniteteve është një komponent kyç i kuadrit shumetnik dhe demokratik të Kosovës. Sigurimi i mundësive të barabarta për të gjitha mediat forcon besimin e publikut në procesin zgjedhor dhe mbështet pjesëmarrjen e informuar në nivel komuniteti”, theksohet më tej.

Në fund, OSBE nënvizon se misioni i saj mbetet i përkushtuar për promovimin dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes.

“Misioni mbetet i përkushtuar për të promovuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes, pluralizmin mediatik dhe qasjen e barabartë në informacion për të gjitha komunitetet, në përputhje me parimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare”, përfundon reagimi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb