“Kur njeriu nuk dëgjohet më, ai pushon së qenuri njeri”. Viktor Frankli
E keni harruar ngjarjen në Apelin e Tiranës, ku një njeri, palë në një çështje pronësie, qëlloi dhe vrau gjyqtarin? Nuk është vetëm një histori dhune, është një histori që na tregon diçka shumë më të madhe.
Në fakt, ajo çfarë ndodhi aty është ajo që ndodh çdo ditë rreth nesh. Shikoni se si njerëzit nuk dëgjojnë më vërtet. Nënat dhe baballarët janë shpesh kaq të zënë me punët e përditshme, saqë nuk gjejnë kohë të dëgjojnë fëmijët e tyre. Fëmijët, nga ana tjetër, ndihen sikur nuk u japin rëndësi, ndaj nuk flasin ose largohen.
Në punë, njerëzit ulërasin por nuk dëgjojnë. Kolegët dhe shefat japin urdhra, por harrojnë të ndalojnë dhe të kuptojnë. Pronari dhe punëmarrësi shpesh sillen si dy botë të ndryshme që nuk arrijnë të dëgjojnë nevojat dhe vështirësitë e njëri-tjetrit.
Në familje, tek miqtë, tek partnerët, ndodh e njëjta gjë. Shpesh nuk dëgjohemi vërtet, sepse jemi të fokusuar në atë që duam të themi ne, jo në atë që thotë tjetri. Diskutimet kthehen në gara për të pasur të drejtë, dhe jo në përpjekje për t’u kuptuar.
Edhe kur shkojmë tek mjeku, shpesh ndihemi sikur nuk dëgjojnë problemin tonë të plotë. Recetat shkruhen shpejt. Ne nuk kuptojmë, na dëgjuan apo jo. Pedagogët flasin, por studentët nuk e ndiejnë që po i kuptohen. Policia dhe shteti gjithashtu nuk na shikojnë si njerëz me shqetësime, por vetëm si numra apo problematika.
Kur askush nuk dëgjon, lind një boshllëk i madh mes njerëzve, që sjell ndjenja vetmie, zemërimi, dhe herë pas here shpërthen në mënyra që nuk do t’i kishim pritur. Është si të flasësh në një dhomë bosh ku zëri yt kthehet pas dhe nuk gjen përgjigje.
Ngjarja në Apel është shembulli më i hidhur i kësaj. Një njeri i cili ndjeu që nuk po dëgjohej, reagoi në mënyrën më tragjike. Por kjo nuk ndodh vetëm atje, ndodh çdo ditë në mënyra më të vogla,
por gjithashtu shkatërruese.
Dëgjimi nuk është thjesht të dëgjosh fjalët. Është të japësh kohë, vëmendje dhe të kuptosh atë që tjetri po thotë me zemër, qoftë dhe i gabuar. Kur kjo mungon, shkatërrohen marrëdhëniet, humbet besimi dhe rritet ndarja.
Në fund të ditës, kur nuk dëgjohemi, humbasim më shumë, njeriun brenda tjetrit dhe brenda vetes sonë.
