Policia izraelite ka filluar lirimin e të burgosurve palestinezë për për t’u shkëmbyer me pengjet izraelite të mbajtura në Gaza, siç përcaktohet në planin e paqes. Qindra oficerë po transferojnë gati 2,000 persona nga pesë burgje, 250 të dënuar me burgim të përjetshëm dhe 1,700 banorë të Gazës të arrestuar pas sulmeve të 7 tetorit.

Presidenti i SHBA, Donald Trump shprehu besim në armëpushimin në Gaza midis Izraelit dhe Hamasit.

“Do të qëndrojë. Unë besoj se do të qëndrojë. Ata janë të lodhur nga luftimet”, u tha Trump gazetarëve, duke konfirmuar qëllimin e tij për të udhëtuar në Izrael dhe Egjipt këtë fundjavë.

Ndërkohë, Hamasi, Xhihadi Islamik dhe Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës kanë lëshuar një deklaratë duke deklaruar se nuk do të pranojnë asnjë “dominim të huaj” në Rripin e Gazës sipas planit të paqes.

“Qeverisja e Gazës është një çështje palestineze”, deklaruan milicitë në deklaratën e tyre, megjithëse mirëpritën angazhimin për rindërtim të treguar nga disa vende. Lëvizjet islamike theksuan se deri më tani është arritur një marrëveshje “mbi zbatimin e fazës së parë” të planit dhe premtuan të vazhdojnë të punojnë për lirimin e të burgosurve palestinezë që nuk do të lirohen sipas marrëveshjes me Tel Avivin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb