Gjykata Administrative rrëzon padinë e Naureda Llagamit e cila kandidonte për anëtare në Gjykatën Kushtetuese.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se Llagami kërkonte shfuqizim të vendimit të Gjykatës së Lartë dhe emërimin e saj në Kushtetuese. Llagami pretendonte se një votë ishte shpallur qëllimisht e pavlefshme.
Në Kushtetuese, nga Gjykata e Lartë u emërua Asim Vokshi. Gjykata e Lartë njoftoi të martën, më 30 shtator, se në përfundim të votimit në Mbledhjen e Posaçme të Gjyqtarëve kandidati Asim Vokshi siguroi 6 vota, kandidatja Naureda Llagami 8 vota. Komisioni i votimit konstatoi gjithashtu edhe një fletë votimi të pavlefshme.
“Në kushtet kur parashikimet ligjore përcaktojnë se shpallet fitues kandidati që merr 3/5 e votave të pjesëmarrësve dhe në rastin e votimit të sotëm ku asnjë nga kandidatët nuk e arriti këtë prag, komisioni shpall fitues kandidatin e renditur të parin nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Në këto kushte, z. Asim Vokshi zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese”, citohet në njoftimin e shpërndarë nga Gjykata e Lartë pas përfundimit të votimit.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) publikoi më 18 shtator pikëzimin e shtatë kandidatëve për vendin vakant të Holta Zaçajt në Gjykatën Kushtetuese, duke renditur në krye të listës gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Asim Vokshi, me 89.5 pikë. Në vendin e dytë, me një diferencë të papërfillshme, KED renditi ish-kryetaren e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, me 89.3 pikë, e ndjekur nga ish-komisioneri publik, Florian Ballhysa, me 77.83 pikë. Këta tre kandidatë vijuan garën që u përmbyll më 30 shtator, pas votimit të fshehtë të kryer nga anëtarët e Gjykatës së Lartë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, shpalli hapjen e procedurës së aplikimit për zgjedhjen me mandat të plotë të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese për vendin e Holta Zaçajt. Shpallja e procedurës shkaktoi polemika mes Zaçajt dhe kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Ky i fundit këmbënguli se mandati i Zaçajt përfundonte në pranverë të vitit 2025 dhe hapi procedurat për përzgjedhjen e pasardhësit të saj duke shpallur vendin vakant. Nga ana tjetër, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese pretendoi se mandati përfundonte në fund të vitit 2025 dhe e akuzoi Gjykatën e Lartë për cënimin e sigurisë juridike të mandateve të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Megjithëse Gjykata Kushtetuese e gjeti me shkelje njoftimin e kryer nga Gjykata e Lartë, e la në fuqi shpalljen e vakancës. Shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese vendosën mbarimin e mandatit të Zaçajt më 10 mars 2025.
