Instituti për Liri dhe Trashëgimi ka publikuar sot raportin përmbledhës të një studimi kombëtar lidhur me qëndrimet e qytetarëve ndaj projektligjit “Për Barazinë Gjinore” (2025), i cili po diskutohet aktualisht në sferën publike dhe institucionale.

Sipas këtij raporti, që përfaqëson sondazhin më të madh të kryer ndonjëherë mbi këtë temë në Shqipëri, janë anketuar 10,010 qytetarë nga të gjitha qarqet e vendit. Me një margjinë gabimi prej vetëm ±1.2% dhe nivel besueshmërie 95%, raporti synon të paraqesë një pasqyrë të qartë dhe të besueshme të opinionit publik.

Gjetjet kryesore të studimit:

  • 97.6% e të anketuarve e përcaktojnë gjininë si mashkull dhe femër biologjik, duke refuzuar konceptin e “identiteteve gjinore” si konstrukt social.
  • 99% e qytetarëve e konsiderojnë familjen tradicionale (burrë, grua dhe fëmijë) si themeli i shoqërisë shqiptare.
  • 96% shprehen kundër zëvendësimit të termave “nënë” dhe “babë” me “Prind 1 / Prind 2”, duke e cilësuar këtë si konfuzion potencial për fëmijët.
  • 95.7% refuzojnë futjen e edukimit gjinor në shkolla, të cilin e shohin si indoktrinim ideologjik, jo si edukim për barazi.
  • 92.1% janë kundër martesave dhe adoptimit nga persona të të njëjtës gjini, edhe në rast se kjo do të përbënte një kusht për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
  • 85% kërkojnë që qeveria të fokusohet më shumë në mbrojtjen e familjes dhe rritjen e lindshmërisë, sesa në promovimin e politikave gjinore.
  • 94% e qytetarëve kërkojnë që ligjet që prekin vlerat morale dhe familjare të miratohen vetëm përmes referendumeve popullore, jo vetëm me vendime parlamentare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb