Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari po raporton sot në Komisionin e Ligjeve, ku bëri një raport të punës së bërë nga kjo ministri gjatë vitit 2024.
Gjatë fjalës së tij, Lamallari theksoi se janë rritur hetimet proaktive dhe sekuestrimet pasurore në krahasim me 5 vitet e fundit.
“Shqipëria ka pasur në 2024 rritjen më të lartë të hetimeve proaktive dhe sekuestrimet pasurore të 5 viteve të fundit. Hetime të nisura kryesisht nga prokurorët janë rritur me 12.3 për qind. Janë sekuestruar 65.5 mln euro pasuri. 569 çështje korrupsioni me 234 të pandehur janë çuar për gjykim, ndërsa SPAK ka regjistruar 65 hetime të nisura kryesisht”, tha ai.
Sa i përket vitit 2025, Ministri i Drejtësisë tha se, rekomandimet e miratuara për këtë vit vendosin theksin tek pesë shtylla thelbësore:
* Sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut në qendër të procesit penal – forcimi i prezumimit të pafajësisë, shmangia e ndalimeve arbitrare, respektimi i të drejtës për mbrojtje dhe përdorimi më i gjerë i masave alternative ndaj arrestit. Prokuroria duhet të garantojë proporcionalitet, transparencë dhe respektim të standardeve demokratike në çdo hetim.
* Forcimi i luftës kundër kriminalitetit – rritje e hetimeve të nisura kryesisht, thellim i hetimeve financiare e pasurore, dhe krijimi i njësive të specializuara kundër korrupsionit, krimit të organizuar, krimit kibernetik dhe trafiqeve. Fokus i posaçëm mbetet mbrojtja e grave dhe fëmijëve, krimet mjedisore dhe shkeljet që prekin jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
* Integriteti dhe transparenca në veprimtarinë e prokurorisë – kontroll më i rreptë i integritetit të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore, forcim i etikës profesionale dhe funksionim i plotë i sistemit elektronik të ndarjes së çështjeve (CAMS), për të garantuar paanësi dhe besim publik.
* Rritja e eficiencës dhe kapaciteteve institucionale– krijimi i seksioneve të specializuara për hetime komplekse, trajnime të vazhdueshme për prokurorët dhe OPGJ-të, si dhe bashkëpunim më të ngushtë me Shkollën e Magjistraturës dhe partnerët ndërkombëtarë për përmirësimin e njohurive teknike dhe metodologjike.
* Përdorimi i metodave bashkëkohore dhe bashkëpunimi ndërinstitucional – zgjerimi i përdorimit të inteligjencës artificiale dhe mjeteve digjitale në hetime, ngritja e skuadrave të përbashkëta hetimore me partnerët e BE-së, dhe intensifikimi i shkëmbimit të të dhënave me institucionet ligjzbatuese vendase e ndërkombëtare.
