Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran u takua me kryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.

Në takim u ripohua mbështetja e fortë e Prezencës së OSBE-së për institucionet e drejtësisë në Shqipëri.

Në fillim të takimit, ambasadori Tarran shprehu ngushëllimet dhe përsëriti dënimin për vrasjen tragjike të gjyqtarit Astrit Kalaja.

Ai theksoi se, Prezenca e OSBE-së është një partnere afatgjatë e Reformës në Drejtësi, duke ofruar ekspertizë teknike, shqyrtime legjislative dhe ndërtim kapacitetesh për institucionet kyçe, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës, SPAK-un dhe Gjykatat Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si edhe gjykatat në mbarë vendin.

Përmes Projektit për Monitorimin e Proceseve Gjyqësore, të financuar nga BE-ja, Prezenca e OSBE monitoron çështjet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar për të ndihmuar në ndërtimin e një sistemi drejtësie më efikas dhe transparent.

Temat e diskutimit përfshinë stokun e çështjeve në gjyqësor dhe shkallën e lartë të arrestit në burg në Shqipëri.

Ambasadori Tarran tha se, Prezenca po përgatit një tryezë të rrumbullakët për të promovuar alternativa ndaj arrestit në burg dhe qasje më njerëzore ndaj drejtësisë.

Tarran shtoi se, “duke parë përpara drejt vitit 2026, presim me kënaqësi të shënojmë 10-vjetorin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri, duke festuar arritjet dhe duke formësuar përparimin e mëtejshëm”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb