Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka dënuar ashpër protestën e zhvilluar më 10 shkurt nga punonjës të Bashkisë së Tiranës para godinës së SPAK, pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Në fjalën e tij para Komisionit të Ligjeve, ku iu përgjigj pyetjeve të deputetit të grupit “Mundësia”, Erald Kapri, Dumani e cilësoi protestën si një akt të paprecedent dhe të rrezikshëm.

“Isha atë ditë aty. Ishte një shfaqje e shëmtuar, një ngjarje që nuk kishte ndodhur më parë. U përjetua rëndë nga prokurorët. Njoftuam menjëherë institucionet përgjegjëse që nuk kishin marrë masat e duhura. Unë vetë u gjenda në një situatë të vështirë, me emergjencë familjare dhe trupën e shoqërimit nën rrezik, por falë profesionalizmit të tyre gjithçka u menaxhua. Kjo nuk duhet të përsëritet më,” deklaroi Dumani.

I pyetur për deklaratat e kryeministrit Edi Rama pas arrestimit të Veliajt, si dhe për mundësinë e hetimeve ndaj tij, Dumani u shpreh se SPAK nuk udhëhiqet nga emra, por nga provat.

“Nuk ka rëndësi emri, por prova. Deklaratat politike nuk më interesojnë. Ato janë retorikë. Hetimet ndërtohen mbi prova dhe vetëm mbi prova. Kështu ndërtohen çështjet e suksesshme,” tha kreu i SPAK.

Në lidhje me hetimet për lidhje të mundshme të kupolës së Policisë së Shtetit me krimin, Dumani u tregua i matur, duke mos bërë interpretim, por duke theksuar se SPAK vepron vetëm mbi bazën e provave.

“Policia e Shtetit ka shumë djem dhe vajza profesionistë me të cilët bashkëpunojmë ngushtë. Kur kemi pasur raste konkrete, kemi vepruar dhe kemi goditur grupet kriminale.”

Dumani u ndal edhe te ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, duke bërë të ditur se SPAK është duke përgatitur qëndrimin e vet për të gjitha çështjet që prekin kompetencat e institucionit.

“Kemi përfunduar analizën për pjesën e përgjithshme të Kodit Penal dhe po punojmë për pjesën e posaçme. Jemi ende në proces vlerësimi. Nëse do të kemi kundërshtime, do t’i bëjmë publike.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb