Në një intervistë për emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24, mjeku endokrinolog Sulejman Budo ka theksuar rëndësinë jetike të aktivitetit fizik në trajtimin dhe parandalimin e diabetit të tipit 2. Ai u shpreh qartë se mjekimi i parë dhe më i rëndësishëm nuk janë medikamentet, por lëvizja.

“Aktiviteti fizik është mjekimi numër një për diabetin tip 2,” deklaroi Budo. “Të gjithëve u shkon mendja te medikamentet, por jo, është aktiviteti fizik. E dyta është ushqyerja e shëndetshme, të tretat janë medikamentet.”

Sipas endokrinologut, aktiviteti fizik ndihmon në rritjen e ndjeshmërisë së muskujve ndaj insulinës, duke përmirësuar ndjeshëm përthithjen e glukozës në qeliza. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për pacientët me diabet tip 2, të cilët shpesh përballen me një mungesë të prodhimit të insulinës apo një rezistencë të indeve ndaj saj.

“Aktiviteti fizik nuk është vetëm ecja,” shtoi ai. “5 kilometra në ditë janë pjesë normale e ditës. Duhet të bëhet diçka më tepër. Aktiviteti i përditshëm jetësor nuk është aktivitet fizik.”

Mjeku theksoi gjithashtu se diabeti nuk vjen si pasojë e moshës, por si rezultat i faktorëve të tillë si hipertensioni i patrajtuar, ushqyerja jo e shëndetshme dhe mungesa e aktivitetit fizik. “Këto faktorë e shpërthejnë diabetin,” paralajmëroi Budo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb