Presidenti i Republikës Bajram Begaj i kërkon Gjykatës Kushtetutese të shpallë moskompetencën mbi dekretin e shpallur prej tij më 1 Tetor për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Tiranë, dekret që u pezullua nga kjo gjykatë. Kërkesa i drejtohet Gjykatës pasi më 31 tetor trupa e Kushtetueses do shqyrtojë kërkesën e Erion Veliaj, që kundërshton vendimin e qeverisë për shkarkimin si kryebashkiak.

“Institucioni i Presidentit të Republikës, në cilësinë e palës së interesuar, i kërkon Gjykatës Kushtetuese të deklarojë në fillim të seancës së datës 31.10.2025 moskompetencën lidhur me dekretin nr. 350, datë 1.10.2025. Të vendosë në fillim të seancës heqjen e pezullimit për dekretin. Të vendosë në përfundim të seancës rrëzimin e kërkesës së Kryetarit të shkarkuar të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, si të pabazuar në Kushtetutë”, thuhet në kërkesë.

Në parashtrimet e tij, Presidenti Begaj, sqaron se legjislacioni në fuqi përcakton qartësisht se vendimi i qeverisë për shkarkimin e Erion Veliajt është akt administrativ individual dhe dekreti i Presidentit i datës 1 tetor për shpalljen e ditës së zgjedhjeve, është akt administrativ kolektiv. Gjithashtu, theksohet se Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion mbi dekretin për datën e zgjedhjeve“Gjykata Kushtetuese ka pranuar të shqyrtojë një akt administrativ, mbi të cilin nuk ka juridiksion, për shkak se nuk ka ditur si të pengonte veprimin e tij. Ky është arbitraritet i patolerueshëm për një sistem që vepron mbështetur në parimet e shtetit ligjor. Gjykata Kushtetuese duhet të deklarojë menjëherë mungesën e kompetencës për shqyrtimin e dekretit, të heqë menjëherë pezullimin që ka vendosur dhe të çlirojë Institucionin e Presidentit të Republikës nga statusi i palës së interesuar, sepse dekreti i Presidentit të Republikës nuk mund të jetë objekt shqyrtimi në këtë çështje. Përndryshe, procedura mund të kryhet deri në fund, por do të jetë antikushtetuese”, thuhet në shkresë.

Ndërkaq, kreu i shtetit i kërkon Gjykatës Kushtetuese pas vendimit që do merret lidhur me padinë e Erion Veliaj, të vë në lëvizje Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që ka përgjegjësinë për organizimin e zgjedhjeve në Tiranë.

“Për shkak se pezullimi ka pamundësuar zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë në datën e dekretuar nga Presidenti i Republikës, Gjykata Kushtetuese duhet të urdhërojë KQZ-në për përgatitjen e zgjedhjeve në këtë bashki në datën që do të përcaktojë Gjykata, datë e cila nuk duhet të jetë më e hershme se 30 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të saj”, thuhet në shkresë.

Në këto kushte, Presidenti i Republikës thekson se vetëm një procedim i tillë mund të rikthejë kushtetutshmërinë e procesit ankimor, të cënuar në mënyrë arbitrare nga vetë Gjykata Kushtetuese.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb