Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi ka deklaruar se filozofia qeverisëse e mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama, shpërfaqet në ARRSH, ku të gjithë drejtuesit janë ose të dënuar ose aktualisht nën akuzë për korrupsion.

I ftuar në “Programin e Drekës” me Ola Bruko në News24, ai u shpreh se të gjithë institucionet të cilat janë në varësi të zëvendës ministres Belinda Balluku janë në hetim nga Prokuroria e Posaçme.

“Nuk hetohen për çuna të bukur dhe vajza të bukura”, tha me ironi Këlliçi.

“Rast i pa precedentë ku i gjithë sektori elektroenergjitik dhe infrastrukturor në Shqipëri, të gjithë drejtuesit kryesor, të gjithë institucionet në varësi të Ministrisë në Infrastrukturës janë në hetim nga SPAK dhe pjesa dërrmuese e tyre me akuzë për korrupsion nga SPAK. Nuk hetohen për çuna të bukur dhe vajza të bukura, siç pretendon ajo. Ky standard nuk është arritur kurrë në Shqipëri.

Pyetjet që i kam drejtuar dhe Dumani kërkonte t’ia dorëzoja me shkrim, kishin të bënin që nga ARRSH që është rast unikal në botë.

Drejtori aktual është me akuzë të komunikuar, ish-drejtuesi në burg me akuzë të komunikuar, toitullari i mëparshëm është dënuar për korrupsion.

Në këtë institucion duhet të kuptoni filozofinë e Ramës, kushdo shkon titullar te ARRSH, duhet të zbarojë urdhrat e eprorit dhe duhet të vjedhë e të shkojë në burg, ky është standardi që ka vënë Edi Rama. Standard i paprecedentë që e mbron me fanatizëm edhe ministrja besnike e tij Belinda Balluku. E njëjta gjë me KESH, OSHEE, me Bursën Kombëtare, apo me Tigrin 1 dhe Tigrin 3, megaaferë korruptive. Janë harxhuar mbi 100 mln dollarë dhe nuk është prodhuar asgjë”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb