Zonat e Mbrojtura në Shqipëri po përballen me një sërë problematikash që nisin që nga ndryshimi i ligjit që u bë para pak kohësh e deri te problemet konkrete që institucione të ndryshme kanë në terren. Këto shqetësime u ngritën gjatë një takimi të mbajtur në Shkodër për ruajtjen e Zonave të Mbrojtura.
“Komunitetet jetojnë aty prej 500 vitesh. Duhet ndryshuar ligji për Zonat e Mbrojtura, ligji i mëparshëm ishte më i mirë se unë jam që prej vitit 2004 aty në punë. Ka përzierje kopetencash nga të gjitha strukturat mjedisore, policore etj. Ligji duhet ndryshuar sepse komunitetet jetojnë aty prej mijëra vitesh dhe nuk kanë të drejtë të marrin dru për zjarr. Brenda territorit të Zonave të Mbrojtura është një komunitet prej 30 mijë banorësh në Qarkun Shkodër. Janë afro 50 fshatra, s’mund t’i lëvizim sepse ata për atë ujë kanë shkuar, për atë klimë kanë shkuar dhe prandaj duhen përshtatur ligjet në bazë të komuniteteve”, u tha në takim.
Specialisti i Agjencisë Rajonale të Mjedisit Shkodër, Dritan Dhora thotë se problem madhor mbetet ndryshimi i regjimit ujor në Liqenin e Shkodrës dhe në Lumin Bunë që mund të shkaktojë përmbytje.
“Një problem është ndryshimi i regjimit ujor që kjo nyje biologjike, liqeni i Shkodrës me lumin Buna. Ka luhatje mjaft të konsiderueshme që sjellin më pas edhe përmbytje. Kuptohet që ndikimi është jo vetëm mjedisor por edhe ekonomik dhe lidhet me habitatet, biodiversitetin dhe kam ndikim mjedisor”, Dirtan Dhora.
Projekti synon mbrojtjen e zonës Bunë-Velipojë, ku do të identifikohen problematikat që hasen në menaxhimin e resurseve natyrore, si dhe për të fuqizuar angazhimin në monitorimin e mjedisit.
