Një grup qytetarësh protestuan para Policisë Rrugore të Tiranës duke kundërshtuar vendimin që ndalon përdorimin e Scooter-ave elektrikë në rrugë. Ata thanë se kanë mbi 5 vite që i përdorin scooter-ët gjatë lëvizjeve të përditshme dhe kanë respektuar të gjitha rregullat e qarkullimit rrugor.
Protestuesit thanë se duhet të ishin njoftuar më herët lidhur me ndalimin e përdorimit të scooter-ëve në rrugë me qëllim që të merrnin masa për të gjetur zgjidhje për transportin e tyre, pasi vendimi u mor brenda ditës.
Për disa protestues, skuterët elektrikë janë mjet transporti për në punë, kursejnë lekë dhe kohën duke shmangur transportin me automjetet. Pas nisjes së zbatimit të vendimit të Ministrisë së Brendshme janë ndaluar dhe sekuestruar vetëm në Tiranë mbi 250 scooter-a.
Ndalimi i skuterëve u argumentua si një masë për parandalimin e aksidenteve në rrugë, ku shumica e përdoruesve të tyre lëvizin në të njëjtat rrugë me automjetet, pasi nuk kanë korsi të veçantë, duke përfunduar në disa raste me fatalitete.
