Pas deklaratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump se India do të ndalojë blerjen e naftës ruse, Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Besent, u shpreh se Uashingtoni dëshiron që edhe Japonia të ndalojë importet e energjisë nga Rusia.
Besent, përmes një postimi në platformën X, bëri të ditur se kishte biseduar me ministrin japonez të Financave, Katsunobu Kato, dhe i shprehu pritshmërinë që Japonia të ndalojë importet energjetike nga Rusia.
Japonia është e varur nga importet e naftës dhe gazit për shkak të mungesës së burimeve natyrore.
Në vitin 2023, Japonia shpenzoi rreth 3.3 miliardë euro për të importuar gaz natyror të lëngshëm nga Rusia, një rritje prej 56% krahasuar me vitin 2021.
Rusia përbënte 8.9% të importeve të përgjithshme të gazit natyror të lëngshëm duke qenë furnizuesi i tretë më i madh pas Australisë dhe Malajzisë.
Ministri japonez Kato, kur u pyet nga gazetarët në Uashington, refuzoi të komentojë deklaratat e homologut të tij amerikan.
Ai u shpreh vetëm se Japonia do të vazhdojë të punojë për paqe të drejtë në Ukrainë në bashkëpunim me vendet e G7-ës.
Ndërkohë, Trump përsëriti se Modi i kishte premtuar ndalimin e blerjes së naftës nga Rusia, por qeveria indiane ende nuk e ka konfirmuar këtë.
Si reagim ndaj importit të naftës ruse nga India, Trump vendosi më 27 gusht një tarifë shtesë prej 50% mbi produktet indiane të eksportuara në SHBA.
Ndërkohë, SHBA dhe Japonia janë duke diskutuar plane për investime strategjike japoneze në SHBA, në kuadër të një marrëveshjeje tregtare të arritur në korrik.
Uashingtoni pret investime prej 550 miliardë dollarësh nga Japonia, por Tokio thotë se këto do të jenë kryesisht kredi dhe garanci shtetërore, jo investime direkte, gjë që ka sjellë përplasje mes palëve për mënyrën e zbatimit të marrëveshjes.
