Kancelari gjerman, Friedrich Merz, theksoi nevojën për një Evropë më të fortë, e cila të veprojë si një fuqi paqeje, duke paralajmëruar se “dobësia minon paqen”.

Në një fjalim në Bundestag, në prag të samitit të ardhshëm të Bashkimit Evropian, Merz nënvizoi se është i domosdoshëm forcimi ekonomik, i pranisë politike dhe i aftësive mbrojtëse të BE-së, duke kërkuar që vendimet në këtë drejtim të merren shpejt.

Ai ishte i qartë se NATO mbetet shtylla kurrizore e aftësisë mbrojtëse transatlantike dhe theksoi se as NATO, as ushtria gjermane (Bundesëehr) nuk përbëjnë kërcënim për askënd.

“Në Evropë kemi një problem me zbatimin e vendimeve”, deklaroi Merz, duke theksuar se për ta bërë Evropën më produktive, janë të nevojshme ndryshime themelore, përfshirë heqjen e burokracisë dhe rregulloreve të tepërta.

Sipas tij, është koha për t’i dhënë fund “furisë rregullatore”, për të përshpejtuar procedurat, për të hapur tregjet dhe për të rritur inovacionin.
Ai shtoi gjithashtu se këto përpjekje nuk bien në kundërshtim me objektivat klimatike të vendosura.

Sipas kancelarit, Evropa duhet t’i përdorë mundësitë e saj në mënyrë më të vendosur dhe më të bashkuar, gjithmonë duke u mbështetur në idenë themelore se duhet të jetë një fuqi për paqen.

Por ai paralajmëroi se paqja mund të jetë e qëndrueshme vetëm nëse mbështetet në forcë ushtarake, ekonomike dhe politike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb