Vetting, News24
Gjykatat në konflikt me njëra-tjetrën për banesën në Vlorë
Problemet do të trokisnin në shtëpinë e Skënder dhe Mjaftime Musaj kur do t’i prishnin dyqanin pa leje dhe ishin në rrezik që t’u prishej shtëpia nga institucionet vendore. Në këtë kohë, familja Musaj paditi Inspektoriatin Ndërtimor Vlorë, duke kundërshtuar vendimin e INUV-it për prishjen e shtëpisë së tyre.
Vendimi i gjyqtarit Laurent Fuçia hedh dritë mbi një histori tipike të pronësisë dhe legalizimeve në Shqipërinë e pas viteve ’90.
Historia nis në vitin 1995. Gjykata e Vlorës me vendimin nr. 630 i njeh Skënder Musait pronësinë mbi një shtëpi 82.8 metra katrorë. Por ndërkohë, një dyqan ishte ngritur pa lejet përkatëse nga institucionet. Në dhjetor të po atij viti, Skënder Musai vendos që shtëpinë t’ia dhurojë bashkëshortes, Mjaftime Musaj, përmes një kontrate dhurimi.
Pas disa vitesh, me fillimin e procesit të legalizimeve, në vitin 2005, Musaj paraqet një vetëdeklarim pranë ALUIZNI në Vlorë, duke kërkuar legalizimin e një objekti më të madh, një truall me sipërfaqe ndërtimi 194.3 metra katrorë, ku përfshihej edhe prona e bashkëshortes. Për çiftin, kjo ishte një pasuri e vetme, e pandashme.
Në arsyetimin e tij, gjykatësi Fuçia thekson se qëllimi i ligjit për legalizimet nuk ishte t’i linte qytetarët në rrugë, por të fusë në kornizë ndërtimet pa leje dhe t’i japë banorëve një status të qartë ligjor. Kushtetuta, sipas tij, garanton mbrojtjen e banesës dhe të drejtës për strehim, ndaj edhe në rastet kur një ndërtim është jashtë planeve urbanistike, ai nuk mund të prishet pa u shteruar të gjitha rrugët ligjore dhe pa u gjetur fillimisht një zgjidhje për strehimin e familjes.
Në vitin 2013, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV) në Bashkinë e Vlorës nxjerr një vendim për prishjen e objektit. Por sipas gjykatës, ky akt administrativ ishte i pavlefshëm. Sepse, së pari, nuk respektoi parimin e arsyetimit të vendimeve gjyqësore. Së dyti, u mor në kundërshtim flagrant me ligjin e legalizimeve, duke dalë përtej kompetencave që ka një organ administrativ.
Gjykata shprehet se ky akt i INUV-it ka cenuar rëndë të drejtën kushtetuese për banesë të familjes Musaj. Sipas gjyqtarit Fuçia, shtëpia e tyre ishte fituar mbi një titull pronësie të ligjshëm dhe të vlefshëm.
Sipas avokatit Gylsen Zhllima, sistemi aktual është më keq se ai i mëparshëm.
Në përfundim, gjykata pranoi padinë e Skënder dhe Mjaftime Musait, duke e konsideruar atë të mbështetur në ligj dhe në prova. Vendimi, në thelb, thekson se edhe kur një ndërtim ka probleme me lejen ose me legalizimin, e drejta kushtetuese për strehim dhe prona private ka përparësi mbi çdo akt administrativ.
Sipas Mjaftime Musaj, direkt pasi i vjen revokimi i VKM-së për legalizimin e pronës, nuk vonojnë disa ditë dhe ju vjen edhe një njoftim nga Bashkia, për prishjen e objektit dyqan dhe shtëpi.
“Në këto kishte ne i’u drejtuam gjykatës për mbrojtjen, duke hedhur në gjyq ALUIZNI-n, i kërkonim lejen e legalizimit dhe çertifikatë ZRPP. Njëkohësisht edhe bashkisë për rrëzimin e vendimit të prishjes”, deklaron znj. Musaj.
Por Inspektoriati do të ankimonte vendimin dhe në një rast të paprecedentë, asokohe Gjykata e Apelit Vlorë do të tejkalonte kompetencat në dëm të familjes së pastrehë, duke favorizuar shkeljet e institucioneve të Bashkisë Vlorë, e cila drejtohej nga Shpëtim Gjika.
Sipas avokatit Flamur Çollaku, problemi këtu ka ardhur te serioziteti i institucioneve.
“Institucionet tona punojnë me këtë lloj formule “Kam ardhur unë sot në pushtet dhe këtu fillon shteti”. Por jo, shteti është vazhdimësi”, shprehet për “Vetting” avokati Çollaku.
Në brendësi të vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë, datë 11.12.2013 do të dilnin dalin në pah elementë që ngrenë dyshime nëse këto fakte janë verifikuar si duhet.
Konkretisht Inspektoriati Ndërtimor Vlorë pretendon se sipërfaqja 82 metra katror nuk është regjistruar në Z.V.R.P.P Vlorë për shkak të pengesave ligjore për të gjitha ato vërtetime fakti që janë marrë pas vitit 1994.
Por gafa në brendësi që pretendon INUV-i është se data e njoftimit të aktit administrativ është një lapsus dhe nuk cenon aspak ligjshmërinë e tij.
Gjykata e Apelit tregon se është provuar se familja Musai banon në lagjen “10 korriku” të qytetit të Vlorës në një shtëpi me sipërfaqe ndërtimore 82.8 metra katror, mbi të cilën me vendimin nr. 630, datë 20.03.1995 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë është vendosur vërtetimi i faktit juridik të pronësisë të familjes Musai.
Megjithatë ajo rrëzon plotësisht vendimin e plotë të gjykatësit Laurent Fuçia, i cili duke ndjekur ligjin dhe evidentuar anën njerëzore të ligiit me strehimin. Prishja e vendimit do të sillte pasoja të rënda te familja Musai, e cila do të ishte pjesë e protestës në tetor 2015.
“Bashkia më jep dosjen për prishjen e objektit mirëpo ky vendim nuk u zgjat as dy muaj u rrëzua nga Gjykata e Apelit Vlorë nga Gjinofeva Gaba. Në momentin e rrëzimit ne patëm shumë presione të ndryshme nga pala pretenduese”, shprehet znj. Musaj, duke shprehur pakënaqësinë ndaj vendimit të gjykatës.
Sipas avokatit Flamur Çollaku, në lidhje me ndryshimet që ka pësuar prona, familja Musaj duhet të merrte një formë kompensimi fizik me apartament ose kompensim financiar.
“Në këto momente nuk dihet se çfarë zgjidhje do të ketë me kompensimin, por pala zotëron titull pronësie të fituar në 1986 sipas shënimit që është te gjyqi i vërtetimit të faktit”, tha avokati Çollaku për “Vetting”.
Sipas ligjit, pronari i truallit për të realizuar ndërtime me kompanitë e ndërtimit, duhet të lidhi marrëveshje me pronarin e ndërtesës, në këtë rast me Mjaftime Musain. Ky kusht gjendet te ligji nr. 9482, datë 3.4.2006 “PËR LEGALIZIMIN, URBANIZIMIN DHE INTEGRIMIN E NDËRTIMEVE PA LEJE”, i ndryshuar neni 35, pika 2/b.
Në një nga netët e dhjetorit 2013, pas goditjes nga vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë, Robert Ilia do të shfaqej në shtëpinë e familjes Musai për t’i propozuar një marrëveshje për t’i hapur rrugën ndërtimit të komplekseve të pallateve.
Mjaftimja tregon se në një nga ato netë, në shtëpi do t’u vinte Robert Ilia për t’i bërë ofertë për shtëpinë për ndërtim.
“Duke pasur parasysh presionet që po hanim, gjendjen që e kishim shumë të rëndë ramë dakord që do t’ia lironim shtëpinë në këmbim të ndërtimit dhe ai do të na jepte aq ndërtim sa kishim neve duke ma dhënë dhe qiranë dhe duke na kthyer lekët që kishim paguar te ALUIZN-i sepse ishin rreth 14 milionë lekë të vjetra”, shprehet Mjaftimja.
Për “Vetting”, Mjaftimja tregon se ranë dakord përpara noterit Nefail Islami që do i dorëzonin shtëpinë për 15-17 ditë dhe në këmbim të shtëpisë, Ilia do t’u jepte dy hyrje pallati.
“Mbas prishjes u sistemuam në një banesë që gjetëm vetë, personi që pretendoi se do na paguante dhe qiranë mbylli telefonin për muaj të tërë. Si ne, por dhe banorët e tjerë ngelëm pa kontakt me palën pretenduese dhe për muaj të tërë nuk patëm asnjë lidhje me ta”, tregon Mjaftime Musaj.
Por përpara se të vazhdonte me marrëveshjen noteriale, familja Musai ankimoi vendimin në Gjykatën e Lartë, që evidentoi se Gjykata e Apelit kishte tejkaluar kompetencat e veta duke prishur vendimin e Gjykatës Vlorë në Shkallë të Parë, çeshtja u rikthye në Gjykatën e Apelit Tiranë, ku prej 7 vitesh pritet Gjykimi.
“Reforma në drejtësi solli fluksin e dosjeve, mosdhënien e drejtësisë në kohë reale dhe gjyqtarët bëjnë thjesht një veprim noterial”, tha për “Vetting” avokati Gylsen.
