Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dëshiron t’i shtojë listës së tij një sukses të ri diplomatik pas marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza. Perspektiva e një zgjidhjeje dhe konflikti i “ngrirë” në Ukrainë po e mobilizon presidentin amerikan, duke i dhënë një shans të dytë paqeje në vitin 2025.

Në këtë kontekst, Presidenti i 47-të i SHBA-së do të mirëpresë homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky sot në Shtëpinë e Bardhë , ndërsa është më se e qartë se gjatë takimit dypalësh, zoti Trump do të bëhet përsëri palë në kërkesën ukrainase për sigurimin e raketave amerikane Tomahawk , pasi ky sistem i veçantë armësh mund të godasë thellë në territorin rus.

Në këtë perspektivë, raketat Tomahawk po bëhen një nga mjetet kryesore negociuese dhe leva e Shtëpisë së Bardhë për presion mbi Presidentin rus Vladimir Putin.

Trump thuhet se tani dëshiron një “Samit të ri Paqeje”, një model i ngjashëm me atë të Marrëveshjes në Egjipt në lidhje me Gazën. Vetëm se këtë herë, takimi i ri midis Presidentit amerikan dhe atij rus pritet të zhvillohet në Budapest , i cili tashmë po përgatitet bazuar në fjalët e Kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orbán .

Pas një bisede telefonike midis presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë, e cila zgjati mbi dy orë e gjysmë dje, rruga për në Budapest është e hapur, por jo edhe aq e “asfaltuar” pasi ka ende disa pengesa si: pushtimin e territoreve ukrainase, vetoja e pranimit të Ukrainës në NATO, dhe demilitarizimi i Ukrainës.

Megjithatë, si Putin ashtu edhe Trump pritet të ulen në tryezën e negociatave në Hungari për të parë “nëse mund t’i japim fund kësaj lufte ‘të palavdishme’ midis Rusisë dhe Ukrainës”, siç tha Presidenti Trump për Truth Social, duke shtuar se “Unë besoj se u bë shumë përparim me telefonatën e sotme”. Sipas Washington Post, Putini u përpoq gjithashtu dje ta bindte Trumpin se Rusia kishte epërsi në fushën e betejës, megjithëse numri i saktë i viktimave mbetet një “kuti e zezë” dhe një sekret i ruajtur me kujdes për palën ruse.

Duke pasur parasysh këtë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu shpresën se “dinamika e kufizimit të terrorizmit dhe luftës që ai arriti në Lindjen e Mesme do të ndihmojë në përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës”.

“Putini sigurisht nuk është më i guximshëm se Hamasi apo ndonjë organizatë tjetër terroriste. Gjuha e pushtetit dhe drejtësisë do të funksionojë në mënyrë të pashmangshme edhe kundër Rusisë. Ne tashmë mund të shohim se Moska po nxiton të rifillojë dialogun, sapo dëgjoi për Tomahawkët”, vlerësoi ai.

Presidenti ukrainas theksoi se nuk duhet të ketë alternativë ndaj paqes dhe sigurisë së garantuar në mënyrë të besueshme, duke vënë në dukje nevojën për të mbrojtur njerëzit nga sulmet dhe goditjet ruse sa më shpejt të jetë e mundur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb