Rusia po e merr shumë seriozisht mundësinë që SHBA të dërgojnë në Ukrainë raketa cruise Tomahawk me rreze të gjatë veprimi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, deklaroi të dielën: “Çështja e raketave Tomahawk na shkakton shqetësim të madh.”
Raketat cruise nuk ndikojnë drejtpërdrejt në vijën e parë të frontit, pasi ato përdoren për të goditur objektiva thellë në prapavijë.
Tomahawk-ët mund të godasin caqe deri në 1.600 kilometra larg, duke i vendosur në rreze goditjeje dhjetëra baza ushtarake, qendra komanduese dhe instalime të mbrojtjes ajrore të Rusisë.
Sipas një analize të BBC, ato fluturojnë në lartësi të ulët, mund të ndryshojnë itinerarin gjatë fluturimit dhe janë shumë të vështira për t’u interceptuar, çka u mundëson të godasin me saktësi të lartë.
Ashtu si çdo armë me rreze të gjatë veprimi, edhe Tomahawk-ët kërkojnë bashkëpunim të ngushtë me vendin furnizues, në këtë rast SHBA, për shkak të nevojës për informacion të detajuar për objektivat.
Përveç kësaj, SHBA ka gjasa që të mos jetë në gjendje të furnizojë Ukrainën me një numër të madh të këtyre raketave.
Megjithatë, edhe një numër i kufizuar, në kombinim me armët që tashmë përdor Kievi për të sulmuar objektiva si rafineritë e naftës, duke goditur nga ana ekonomike Rusinë, mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në luftë.
