Disa javë më parë, gjatë komunikimit të vazhdueshëm si miq të vjetër bashkë me mikun tonë të çmuar, publicistin e njohur Gjovalin Kola, zoti Lek Pervizi më shkruante me nota trishtuese se kishte ardhur koha që revista e tij e dashur, “Kuq e Zi“, pas 32 viteve ta mbyllte misionin e saj fisnik.
“Si fluturon koha, si ikin vitet dhe bashkë me to dhe jeta e njeriut”, këto ishin mendimet e para që më erdhën “flash” në mendje! Në fakt, këtë e kam ndjerë dhe gjatë gati 3 dekadave, duke ndjekur “këmba-këmbës” revistën “Kuq e Zi” në Tiranë, në Berlin dhe për 18 vite rresht këtu në Bruksel, si diplomat, lexues dhe bashkëpunëtor me Kryeredaktorin e saj, të nderuarin Lek Pervizi me shoqen e tij emblematike të jetës, Julianën.
Gjithsesi nuk e besoja se do të vinte kjo ditë, sepse Leka ka mbetur kreshnik mali, përherë i gjallë, aktiv, me interes dhe kujdes të pandërprerë për krijesën e tij, revistën kulturore “Kuq e Zi”; madje, ai i është përkushtuar asaj tamam si fëmijve të shtrenjtë, edhe tani në moshën 96 vjeçare, edhe pse sëmundjet çnuk kanë bërë për ta penguar dhe prapsuar, por më kot.
Ja pse, krahas një ndjeje të natyrshme trishtimi në shpirt, më erdhi në ndihmë imagjinata pozitive; ajo më ktheu prapa në atë ditë vjeshte të vitit 1993, kur Lek Pervizi, ky multitalent, sfidues dhe legjendë e gjallë e kohërave të stuhishme, diktaturës dhe njeriu i sakrificave të panumurta botoi në Bruksel në print numrin e parë të Revistës ”Kuq e Zi”. Me jehonë të menjëhershme në Belgjike dhe kudo.
Kjo ndodhi sepse revista ” Kuq e Zi” nuk ishte thjesht katalog lajmesh, por ngjarje e shënuar për bashkëatdhetarët tanë, miqtë, të afërmit dhe shokët e Lek Pervizit. «Kuq e Zi » u bë shumë shpejt për 32 vite rresht bashkëudhëtare transoqeanike për një numër të madh bashkëatdhetarësh në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, në të gjitha viset ku ata banojnë, duke filluar nga SHBA-të, Australia, Kanadaja, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, dhe vende të tjera.
Kësisoj, Leka atëhere 65 vjeçar bëri dallimin e madh nga bashkëkohas të tjerë që kryesisht qaheshin, ankoheshin dhe bërtisnin me të drejtë se kush kishte hequr më shumë. Ai e kuptonte se “fjalët i merr era” dhe se koha do të bënte të vetën. Se katalogu i ardhshëm demokratik do të mbushej shumë shpejt me ngjarje, sfida, skandale dhe probleme të tjera. Ndaj, për të dhe bashkëpunëtorët e tij ishte momenti që të fillonte pa vonesë dokumentimin, përkujtimin, reflektimin dhe pasqyrimin së pari të 45 viteve të errta të monizmit, me gjithfarë krimesh monstruoze të kryera ironikisht ” në emër të popullit”.
Sfida ishte më shumë se herkuliane; se ishin me mijra ata që kishin kaluar në kalvaret e vuajtjeve dhe mundimeve pa fund; historia, sakrificat, vuajtjet dhe triumfi i tyre heroik njerëzor duhej të filmohej, dokumentohej, pikturohej, letrarizohej, të luhej në skenë, të recitohej dhe këndohej për ta dhe sidomos për brezat e rinj që do të vinin, fëmijtë, nipërit dhe mbesat e tyre. Vetë Leka me familjen e tij kishin vuajtur 45 vite rresht nëpër burgje, kampe pune dhe internimi në Porto Palermo, në Tepelenë dhe në Plug të Lushnjes vetëm për shkak të biografisë!
Ndërkohë, vëmendja e publikut të gjerë duhej rikthyer edhe te shumë tradita të mrekullueshme të së kaluarës sonë, të lashtë dhe të re, te kohët ilire, Skënderbeu, Nënë Tereza, Pavarësia, Monarkia, etj. Ndërsa më vonë për të treguar padrejtësitë, absurditetet, diskriminimin dhe viktimizimin e shumë heronjve dhe personaliteteve të shquara të nacionalizmit, kulturës, fesë dhe letërsisë sonë, të cilët rregjimi monist i kishte retushuar dhe fshirë nga kujtesa njerëzore dhe arkivore.
Meqenëse ende nuk i kishte mbushur ende 3 – 4 vite, me po atë zell dhe pasion duhej pasqyruar dhe demokracia e re me përpjekjet, sfidat, arritjet dhe zhgënjimet e saj, dhe për vetë shtresat e ish të përndjekurve dhe të persekutuarve politikë.
Natyrisht sot kjo duket disi e lehtë e jo ndonjë gjë kush e di se çfarë, sepse kanë mbirë gjithandej si kërpudhat gazetat, portalet, televizionet dhe rrjetet sociale. Por, 32 vite më parë në Tiranë ishte vetëm RTSH-ja dhe gazetat e reja që sapo kishin dalë, ndërsa në Bruksel vetëm Radio javore “Jehona e Shqipes” e themeluar nga patrioti dhe gazetari i apasionuar Sakip Skepi me shokë. Ndërkohë që autorë, poetë, shkrimtarë dhe piktorë të persekutuar dhe të përndjekur ndër dekada nuk e kishin marrë ende vehten nga peripecitë e pashembullta dhe nuk kishin filluar krijimtarinë e tyre artistike.
Ndaj kërkohej ritëm dhe guxim i madh qytetar, zell, vendosmëri dhe këmbëngulje që t’i hyje diçka jo “si flakë kashte“ por ta çoje deri në fund. Mirëpo këtë mision mund ta kryenin me sukses dhe me besueshmëri të lartë vetëm njerëz patriotë, intelektualë të vërtetë, ish të persekutuar politikë, si Lekë Pervizi me shokët e tij të vuajtjeve dhe persekutimit dhe me të tjerë. Kështu lindi Revista kulturore me emrin tingëllues “Kuq e Zi” e cila u bë pjesë e jetës së shumë prej nesh sidomos në diasporë, pa dallim moshe, feje, krahine dhe profesioni në Belgjikë e kudo.
Në fakt, parë nga lartësia e 32 viteve të saj “Kuq e Zi“ ishte dhe mbetet shumë më tepër se një revistë letrare me një natyrë të shumëfishtë sa i takon simbolikës, kuptimit dhe rëndësisë së saj publike dhe mediatike.
Për mbi 3 dekada rresht, “Kuq e Zi“ ka luajtur shumë role dhe dimensione elitare që mbeten në histori, të cilat modestisht po i përmbledh fare shkurt më poshtë.
“Kuq e Zi“ shkroi dhe ajo me gërma të mëdha akt – akuzën e saj të fuqishme kundër krimeve të komunizmit. Në 30 vite, ajo ka botuar me mijra dokumente origjinale me dëshmi nga ata që e kanë pësuar dhe e kanë paguar me jetën e tyre dhe të familjarëve të dashur komunizmin çnjerëzor, si dhe nga qytetarë dhe intelektualë të tjerë që janë distancuar prej tij, përpara dhe pas viteve 90.
“Kuq e Zi“ u kthye në një Lajmëtar dhe Mesazhier të kohërave të reja demokratike.
Meritë e madhe e tij është se nuk u mjaftua me anti-komunizmin, por ka ecur në shinat e dimensioneve të gjera demokratike, duke shtjelluar në vazhdimësi, me vërtetësi dhe kompetencë sfidat dhe problemet e demokracisë pluraliste.
“Kuq e Zi“ u bë kronikan besnik i ngjarjeve të shumta, nga historia jonë e lashtë e deri në ditët tona, duke na dhënë një trashëgimi të pasur dhe të larmishme rubrikash dhe kronikash në çdo fushë të jetës politike, sociale, ekonomike, kulturore, shkencore, etj.
“Kuq e Zi“ u bë platformë e fuqishme idesh, opinionesh dhe sugjerimesh për një shoqëri më të denjë dhe më të drejtë, për politika më realiste dhe të guximshme dhe për një njeri më të mirë.
Kuq e Zi shërbeu si një tribunë e mendimit të kualifikuar dhe shkencor në të gjitha fushat, nga politika, ekonomia, arti, kultura, letërsia, media, shkecna diaspora, etj.
Atë e kanë nderuar me shkrimet e tyre të spikatura pena të mëdha dhe të shquara elitare të cilët i bëjnë nder kujtdo botimi tjetër; nuk dua të hyj te lista e tyre, sepse ajo është e gjatë dhe brilante; për më tepër ata njihen mirë nga lexuesit.
“Kuq e Zi“ është arkivë e pasur dokumentare, e ilustruar me kujdes dhe mjeshtëri të rrallë artistike me foto, piktura, libra, poezi dhe ese të gjetura. Kjo dhe për meritë dhe fatit të madh që Kryeredaktori dhe Kujdestari i mençur dhe poliedrik i “Kuq e Zi“, emblematiku Lekë Pervizi shquhet si poet, piktor, publicist, eseist dhe hulumtues brilant. Vështirë të gjesh dikë tjetër nga rradhët e ish të dënuarve dhe të persektuarve të rregjimit të kaluar që të ketë paraqitur dhe sintetizuar jetën, vuajtjet dhe sakrificat mbinjerëzore në burgjet dhe kampet e internimit si Lek Pervizi – në vizatime, piktura, poezi, romane dhe në dhjetra ese! Ndaj ai vlerësohet me të drejtë si institucion dinjitoz më vehte.
“Kuq e Zi“ u kthye në urë të madhe lidhëse dhe bashkuese në radhë të parë “mes vedi”. Nëpërmjet revistës jemi njohur, kemi takuar, kemi dialoguar mes shumë miqsh dhe të afërmish, si dhe me personalitete të tjera, veçanërisht të rinj dhe të reja. Ndaj, dhe gëzimi ishte vërtet i madh sa herë na vinte numri i ri i revistës deri te ky i fundit, që sërish vjen me freskinë e numrit të tij të parë.
“Kuq e Zi“ do të mbetet katalog dhe kalendar i besueshëm i ngjarjeve të shkuara historike. Diçka e madhe kjo kur mendon se sot në median dhe politikën tonë në përgjithësi po humbet tradita e bukur e përkujtimit të ngjarjeve madhore, për shkak të politikave rutinore të ditës, skupeve boshe mediatike, të cilat vetëm sa çthurin dhe çorientojnë, sidomos brezat e rinj.
Ndërsa “Kuq e Zi“, veç homazhit dhe përkujtimit tematik të ngjarjeve dhe personaliteteve të shquara historike, dhe në veçanti ish të persekutuarve dhe të burgosurve politikë të rregjimit të kaluar, ka dhënë në vazhdimësi edhe sugjerime të vlefshme.
Duke parë gjithë këto merita dhe shërbime të çmuara, të kërkoje më shumë prej “Kuq e Zi” do të ishte “luks” i panevojshëm.
Këtu nuk mund të lemë pa theksuar se të gjithë këtë veprimtari intensive me Kuq e Zi“, i nderuari Lekë e ka kryer me dëshirë dhe vullnet, me forcat e veta, pa asnjë stimul dhe ndihmesë nga shteti dhe qeveritë. Përjashtim bën Autoriteti i Rishikimit të Dosjeve të Diktaturës dhe Kryetarja e tij, Gentiana Sula me bashkëpunëtorët, që e kanë vlerësuar dhe kanë propozuar edhe dekorimin e Lekës me familjen e tij të nderuar, si pikë madhore reference dhe burim autentik i pashtershëm dhe për veprimtarinë e tyre.
Ca më tepër kur Lek Pervizit i është dashur të përballet dhe të fitojë me ndihmën e Zotit mbi sfidën e moshës, shqetësimet shëndetësore, sidomos gjatë Covid – 19 dhe plot pengesa të tjera. Dhe prapë nuk ka kërkuar asgjë në këmbim, por krahas “Kuq e Zi“ ka dhënë ndihmesë të madhe dhe në takime dhe konferenca shkencore, biseda me të rinj, etj. Si një i mbijetuar legjendar i tmerreve komuniste, dëshmi e gjallë e vitalitetit dhe pozitivitetit shembullor, njeriut të papërkulur dhe të pamposhtur. Bashkë me bashkëvuajtësen dhe zonjën e tij epike, Julianën, fëmijtë e talentuar, mbesat dhe nipërit që e nderojnë babain dhe gjyshin e tyre legjendar duke shkëlqyer në çdo fushë dhe kudo. Falenderime për ta, se veç të tjerash, kanë qenë mbështetje, motivim dhe inkurajim shumë i madh në misionin dhe pasionin fisnik të Lekës !
Në përfundim, me rastin e mbarimit të misionit të Revistës “Kuq e Zi“, i shprehim mirënjohjen më të madhe dhe falenderime nga zemra Lekës, që vërtet e “ka mbajtur në prehër dhe në pëllëmbë të dorës“ “Kuq e Zi“, si në “ditë me diell dhe me shi“ me bashkëpunëtorët e tij të çmuar.
Paç shëndet dhe jetë të gjatë me të gjithë familjen e bekuar, i dashur dhe i nderuar mishërim i gjallë i shqiptarizmës së vërtetë, që të vazhdosh të na dhurosh çaste të tjera të bukura e të lumtura, ashtu siç ke bërë dhe me “bijën“ tënde “Kuq e Zi“!
