Shtetet e Bashkuara kanë informuar garantuesit e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza për raporte të besueshme që tregojnë një shkelje të afërt të armëpushimit nga Hamasi kundër civilëve të Gazës.
“Sulmi i planifikuar ndaj civilëve palestinezë përbën një shkelje të drejtpërdrejtë dhe serioze të marrëveshjes së armëpushimit dhe do të rrezikonte progresin e rëndësishëm të arritur nëpërmjet përpjekjeve të ndërmjetësimit. Garantuesit kërkojnë që Hamasi t’u përmbahet detyrimeve të tij sipas kushteve të armëpushimit”, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë.
Nëse Hamasi vazhdon me këtë sulm, do të merren masa për të mbrojtur qytetarët e Gazës dhe për të ruajtur integritetin e armëpushimit, paralajmëron Departamenti Amerikan i Shtetit.
“Shtetet e Bashkuara dhe garantuesit e tjerë mbeten të palëkundur në angazhimin e tyre për sigurinë e qytetarëve, ruajtjen e qetësisë në rajon dhe promovimin e paqes dhe prosperitetit për popullin e Gazës dhe rajonin më të gjerë”, përfundon deklarata.

