Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi sot se po pezullon ndihmën ekonomike për Kolumbinë, duke akuzuar homologun e tij kolumbian Gustavo Petro se nuk po lufton kontrabandën e drogës.
“Që nga sot, këto pagesa apo çdo formë tjetër pagesash apo subvencionesh nuk do t’i jepen më Kolumbisë,” shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social – si zakonisht, me shkronja kapitale – pa dhënë sqarime se për çfarë lloj ndihme apo subvencionesh bëhet fjalë.
Njëkohësisht, Trump e quajti presidentin Petron trafikant të jashtëligjshëm të drogës dhe se nuk po bën asgjë që ta ndalojë atë.
“Qëllimi i këtij prodhimi është të shiten sasi të mëdha droge në SHBA, duke shkaktuar vdekje, shkatërrim dhe kaos,” theksoi Trump në postimin e tij.
Reagimi i Trump vjen pas akuzave të bëra një ditë më parë nga presidenti Petro, i cili pretendoi se forcat e armatosura amerikane kishin shkelur ujërat territoriale të Kolumbisë dhe kishin vrarë një peshkatar gjatë operacioneve të tyre në Karaibe, operacione që Uashingtoni i paraqet si pjesë e fushatës kundër karteleve të drogës.
