Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria do të jetë ndër vendet e para në Europë që do të implementojë identitetin dixhital, duke lënë pas edhe Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë shqiptare tha se kjo nismë po jetësohet para afatit të parashikuar nga Bashkimi Europian për vitin 2027. Rama shtoi se inovacioni dhe inteligjenca artificiale, po shihen si baza për transformimin e mëtejshëm të shtetit dhe shërbimeve publike.
“BE synon që deri në vitin 2027 çdo qytetar të ketë identitetin dixhital. Ne do ta realizojmë këtë një vit më parë. Nuk e them për të shpallur ndonjë përparësi, por për të theksuar se teknologjia është një bekim i kohës që i jep përparësi vendeve që e përqafojnë”, u shpreh Rama.
Gjithashtu, kryeministri theksoi se identiteti dixhital, është një hap kyç për kalimin drejt një ekonomie më të formalizuar dhe transparente, duke reduktuar informalitetin dhe abuzimet në zinxhirin ekonomik.
“Dua të përqendrohem tek ky moment i sotëm, tek identiteti dixhital, i cili është një instrument i domosdoshëm për të realizuar planin e kalimit nga paraja ‘cash’ në transaksionet dixhitale. Kjo do të thotë më shumë siguri për konsumatorët, transparencë për biznesin dhe më shumë të ardhura nga ajo pjesë që i takon konsumatorit dhe që në një masë të madhe mbetet jashtë duarve të tij për shkak të informalitetit dhe trukeve të ndryshme, që do të reduktohen, në mos të asgjësohen, falë transaksioneve dixhitale dhe tatimit mbi vlerën e shtuar”, deklaroi Rama.
Fjala e kryeministrit
Ky është një tjetër moment i shumëpritur dhe i mirëpritur sepse prej disa kohësh tanimë ne jemi angazhuar me shumë dëshirë, por edhe me ambicie si gjithmonë për të krijuar identitetin digjital, i cili është baza e një kapërcimi tjetër të madh dhe një projektimi në të ardhmen, falë teknologjisë dhe faktikisht në dijeninë time, çfarë po demonstrohet sot, do të jetë në dispozicion të publikut, në dispozicion të raportit mesa qytetarit dhe shtetit dhe në dispozicion të ekonomisë sonë, në fillim të vitit të ardhshëm. Ndërkohë që BE po ashtu po përgatitet për identitetin digjital dhe objektivi i shpallur i BE, është që në vitin 2027, qytetarët e BE të mund të pajisen me identitetin e tyre digjital. Ne do të jemi një vit më parë dhe e theksoj këtë, jo për të nënkuptuar apo për të afirmuar ndonjë përparësi tonën, po për të rikujtuar dhe një herë se përparësia që teknologjia i jep çdo vendi që e përqafon atë dhe që i drejtohet asaj për të kapërcyer pengesa që ndonjëherë janë edhe historike, është një përparësi e jashtëzakonshme që personalisht unë e quaj një bekim i kësaj kohe, sepse përmes teknologjisë digjitale dhe së fundmi falë AI, vendet mund të imagjinojnë të kapërcejnë, epoka që përndryshe do t’i kishin të pamundura për t’u kapërcyer me shpejtësinë e progresit linear, i cili pararendi epokën e teknologjisë. Dhe prandaj, ne besojmë shumë tek fuqia e inovacionit, prandaj jemi përkushtuar inovacionit duke u bërë faktikisht një vend lider në rajon përsa i përket shërbimeve publike përsa i përket inovacionit dhe duke krijuar një bazë solide për të imagjinuar transformime në çdo sektor falë inovacionit dhe tanimë edhe falë AI.
Ne tani jemi të angazhuar në një punë të përditshme për krijimin e një akseleratori shumë të fuqishëm që do të mbështesë ministren tonë të krijuar nga AI, një akselerator që do të penetrojë të gjithë sektorët dhe që do të vërë në dizpozicion të qeverisë, zgjidhje dhe opsione për çdo sektor, ku ne kemi nevojë të kapërcejmë pengesa të vjetra, apo ku kemi nevojë të bëjmë hapa shumë më të mëdhenj se deri më sot.
Dhe pa dashur t’ju marr kohë duke i prekur sektorët një e nga një, dua të përqendrohem tek ky moment i sotëm, tek identiteti digjital, i cili është një instrument i domosdoshëm për të realizuar planin tonë të kalimit nga paratë kesh (cash), në transaksionet digjitale dhe kjo do të thotë shumë më tepër siguri për konsumatorët; kjo do të thotë shumë më tepër transparencë për biznesin dhe kjo do të thotë shumë më tepër të ardhura nga ajo pjesë që i takon konsumatorit dhe që në një masë të madhe mbetet jashtë duarve të tij për shkak të informalitetit dhe për shkak të trukeve të ndryshme që do reduktohen maksimalisht, në mos do të asgjësohen plotësisht falë transaksioneve digjitale, që është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.
Nga ana tjetër, ne besojmë shumë që përmes teknologjisë dhe inteligjencës artificiale do të mund të krijojmë kushte dhe premisa tërësisht të reja për shërbimin shëndetësor, për mundësinë e kujtdo për të pasur një vëzhgim dhe një trajtim cilësor pavarësisht gjeografisë në të cilën ndodhet. Pa diskutim për sistemin tonë arsimor. Po punojmë po ashtu, për të digjitalizuar sistemin tonë të transporteve dhe me radhë sepse thashë nuk dua të ndalem në të tëra.
Po për ta mbyllur, duke qenë ë se këtu protagonisti i ditës është Ministria e Brendshme, dua të theksoj se po ecim me hapa të shpejt lidhur me fillimin e zbatimit të projektit të madh të “Smart City”, projekt, i cili do të na ndihmojë të digjitalizojmë përmes kamerave inteligjente të gjithë sistemin e monitorimit të trafikut në qytetet tona, duke filluar nga Tirana.
Do të na ndihmojë të kemi një pamje shumë më mbështesë për sa i përket mbledhjes së të dhënave në raport me ligjshmërinë, me rendin publik, me luftën kundër kriminalitetit dhe nga ana tjetër do të na ndihmojë po ashtu të kemi një pamje në kohë reale të ecurisë së jetës së përditshme në shkolla, ku falë këtij programi, falë këtij projekti do të rritet në mënyrë eksponenciale siguria dhe do të rritet në mënyrë eksponenciale mundësia e prindërve për të ndjekur të gjithë vijën e sjelljes së fëmijëve në shkollë, jo thjeshtë në aspektin e momenteve kritike, por në tërësinë e vet. Gjë që do të ndikojë jashtë mase në frekuentimin e shkollës, gjë që do të ndikojë jashtë mase në uljen e fenomenit shqetësues të bullizimit dhe patjetër do të ndikojë jashtë mase edhe në aspektin e angazhimit të vetë mësuesve.
Besoj shumë që me këto projekte dhe me programin e identitetit digjital, i cili është shumë më shumë kompleks sesa duket në këtë paraqitje kuptimplotë që na u bë, ne do të jemi në gjendje që ta çojmë Shqipërinë 2030 në një nivel krejt tjetër nga ky i sotmi dhe do të jemi në gjendje që ta fuqizojmë në mënyrë gati-gati të paimagjinueshme qytetarin, që t’ia lehtësojmë në mënyrë të paimagjinueshme sot jetën e tij të përditshme dhe t’i bëjmë të mundura me shumë më pak konsum kohe, energjie dhe me shumë më pak stres ndërveprime që përndryshe kanë nevojë për më tepër energji, për më tepër kohë dhe që sjellin me vete edhe stresin përkatës.
Dua të falënderoj ekipin e IdentiTek-ut, drejtuesen e IdentiTek-ut, dua të falënderoj edhe të gjithë partnerët e IdentiTek-ut që janë këtu sot të pranishëm edhe prania e tyre domethënëse është shenjë inkurajuese partneriteti, por edhe respekti për këtë institucion të ri, i cili po provon dita-ditës se si një kompani publike mund t’i zërë vendin një kompanie private e cila deri dje bënte shërbimin e publikut me karta identiteti dhe t’ia zërë vendin duke qenë më e lirë në çmim, më efecientë në cilësinë e shërbimit dhe mbi të gjitha shumë më inovative në shërbim të publikut dhe në shërbim të së nesërmes të vendit.
Kështu që, të gjithë ata që janë këtu të pranishëm nga ekipi i IdentiTekut dua t’i përshëndes posaçërisht dhe përmes tyre edhe gjithë pjesën tjetër që nuk është këtu e pranishme. Dua t’i them që ne kemi një besim të madh te potenciali i kësaj kompanie dhe kemi një ambicie të madhe për këtë kompani, ashtu si kundër edhe për një kompani tjetër që sapo e kemi krijuar në bashkëpunim me partnerë shumë deligjent ndërkombëtar, kompaninë publike “AlbTrace” që do të na ndihmojë të bëjmë gjërmueshmërinë në kohë reale të të gjitha produkteve, të rrisim në mënyrë të paimagjinueshme, deri më sot, kontrollin dhe sigurinë e produkteve, të ulim në mënyrë shumë domethënëse, edhe në këtë aspekt, informalitetin dhe të gjitha ato pasoja që ky i fundit sjell në cilësinë e jetës, por edhe në vetë shëndetin e njerëzve.
Kështu që me këto dy kompani publike jemi vërtetë shumë besimplotë se do të sjellim ndryshime domethënëse në shoqërinë tonë dhe do të modernizojmë në mënyrë domethënëse mënyrën e funksionimit të kësaj shoqërie.
