Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Kinën se  nëse të dy vendet nuk arrijnë një marrëveshje deri më 1 nëntor, kur tarifat pritet të hyjnë në fuqi, SHBA do të aplikojë tarifa prej 155% mbi mallrat kineze

“Mendoj se Kina na respekton shumë . Ata na paguajnë një shumë të madhe parash në tarifa.

Siç e dini, ata paguajnë 55%, që janë shumë para. Ndoshta 155% duke filluar nga 1 nëntori, përveç nëse arrijmë një marrëveshje”, tha ai para bisedimeve të tij dypalëshe me kryeministrin australian.

Presidenti amerikan tha gjithashtu se do ta vizitonte Kinën mjaft herët në vitin e ri me ftesë të Pekinit.

“Jam ftuar në Kinë dhe do të shkoj diku në fillim të vitit të ardhshëm. Pothuajse e kemi përgatitur”, u tha ai gazetarëve.

Presidenti amerikan shprehu dyshime nëse Kina po planifikon një pushtim të Tajvanit. “Mendoj se gjithçka do të shkojë mirë me Kinën. Kina nuk dëshiron ta bëjë këtë”, siguroi ai kur u pyet për mundësinë e një pushtimi.

Në të njëjtën kohë, ai shprehu shpresën se Uashingtoni dhe Pekini do të arrijnë një marrëveshje shumë të fortë tregtare kur të përfundojnë kontaktet që ai do të ketë në Korenë e Jugut, sepse ata duhet të përparojnë së bashku.

“Të dy do të jemi shumë të lumtur”, shtoi ai, duke përsëritur se dëshiron që Kina të blejë sojë amerikane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb