Autoriteti për Mbrojtjen e të Dhënave të Holandës (AP), paralajmëroi votuesit që të mos marrin rekomandime nga ChatGPT për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 29 tetor.
Sipas raportit të publikuar, katër chatbot-e të testuara nga AP shfaqën tendencë të rekomandonin vazhdimisht dy parti politike, një të ekstremit të djathtë (PVV) dhe një të majta (GroenLinks-PvdA), pavarësisht se çfarë pyetje u bëhej.
“Në më shumë se gjysmën e rasteve, chatbot-i sugjeronte një nga këto dy parti, edhe kur informacionet përputheshin më shumë me programet e partive të tjera”, thuhet në raport.
Parti si CDA (qendër e djathtë) përmendeshin shumë rrallë, madje edhe kur pyetjet lidhen drejtpërdrejt me politikat e tyre.
Zëvendësdrejtoresha e AP, Monique Verdier, deklaroi se, ndonëse chatbot-et duken si mjete inteligjente, “nuk arrijnë të ofrojnë ndihmë të besueshme për çështjet e votimit”.
“Votuesit mund të shtyhen të mbështesin një parti që nuk përputhet realisht me bindjet e tyre politike. Kjo është një goditje për integritetin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, theksoi ajo.
AP sqaroi gjithashtu se chatbot-et nuk janë domosdoshmërisht të njëanshëm qëllimisht, por problemet lidhen me mënyrën teknike se si funksionojnë sistemet e inteligjencës artificiale.
