Avokati Ulian Barjami u lirua nga qelia pasditen e djeshme, pas tre ditësh ndalim me urdhër të Oficerëve të Policisë Gjyqësore. Arrestimi i tij erdhi pas një kallëzimi të bërë nga prokurori Gjergji Ceka, i cili pretendoi se ishte kërcënuar nga avokati gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit.

Ndërkohë, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka nisur verifikimet me iniciativë për këtë çështje, për të shqyrtuar ligjshmërinë e veprimeve procedurale që çuan në ndalimin e Barjamit.

Një ditë më parë, inspektorët e ILD-së kanë mbërritur në Elbasan për të administruar dokumentacionin dhe për të analizuar rrethanat e ndalimit.

Gjykata e Elbasanit vendosi dje lirimin e menjëhershëm të avokatit, duke argumentuar se nuk kishte asnjë arsye ligjore për mbajtjen e tij në izolim.

Vendimi ka ngritur pikëpyetje dhe debat në radhët e juristëve dhe opinionit publik për mënyrën e trajtimit të rasteve të tilla. Ndërkohë Prokuroria e Elbasanit ka shpallur moskompetencën dhe ka dërguar në Tiranë çështjen për avokatin Ulian Barjami.

Pretendim është bërë konflikti i interesit, pasi padia kundër Barjamit është ngritur nga prokurori Gjergji Ceka, i cili ushtron funksionin e tij pranë kësaj prokurorie.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb