NGA: YLLI DRISHTI*
Qyteti i Korçës përuroi ditën e premte më 1 korrik “Parkun e skulpturave” – “Open Air Museum”, një risi në Shqipëri që lidhet me një vizion modern të zhvillimit të artit bashkëkohor. Historia e krijimit të këtij parku dukej si utopi 10 vite më parë kur në konsultat dhe takimet që kryetari i Bashkisë të atyre viteve Niko Peleshi (sot Zv/Kryeministër) zhvillonte me artistë, intelektualë, arkitektë etj, u hodh ideja që krahas ditëve të pikturës në natyrë (“Ditët e Mios”) të krijohej dhe një veprimtari për skulpturën. Në këto takime ku Peleshi merrte mendimet e miqve, artistëve dhe intelektualëve ishin prezent Maks Velo, Lorenc Glozheni, Roland Karanxha, Vladimir Topi, Vasillaq Kolevica, Gent Proko, Romeo Kallço, Sotiraq Strati, Ilia Xhano, Llazi Tili, artisti i njohur grek Kiriakos Rokos, etj.
LUGINA E LOTEVE
Në njërin prej këtyre takimeve, midis të tjerave Maks Velo hodhi idenë e krijimit të një grupi skulpturor apo një monumenti kushtuar emigracionit shqiptar, që si vend të kishte atë që njihet si “Lugina e lotëve”. Në anën e kundërt të këtij monumenti – shpjegon Velo, – do të krijoheshin skulptura moderne si një qasje drejt Evropës. Ideja e Velos në fakt ishte në të njëjtën linjë me vizionin e Niko Peleshit për modernizimin e imazhit të qytetit duke ruajtur dhe respektuar traditën dhe për të krijuar vepra të reja të artit bashkëkohor, pikërisht në pjesën më të bukur e të gjelbëruar të qytetit në Parkun Rinia. Në fakt qyteti i Korçës ka një traditë të veçantë si asnjë qytet tjetër në Shqipëri me skulpturën dekorative qytetare në gur duke filluar me kapitelet e kolonave në portat e hyrjes, me shatërvanët e qytetit dhe elementë të tjerë zbukurues si në banesa ashtu dhe në ndërtesat e kultit. Në historinë e artit shqiptar të shekullit XX skulptura laike realiste lidhet me emrin e skulptorit Odise Paskali (1903 – 1985) dhe qytetin e Korçës ku ai realizoi veprën “Luftëtari Kombëtar” (1932) dhe Mihal Grameno (1932) në respekt të gjithë patriotëve shqiptarë që me penë dhe pushkë kontribuuan në realizimin e pavarësisë së Shqipërisë. Besoj se ndofta ky ka qenë për ishkryetarin e Bashkisë Korçë, Niko Peleshi, dhe një nga motivet që i inkurajuan të fillonin një nga projektet më të guximshme ndofta dhe provokative të realizimit të Parkut të Skulpturave Bashkëkohore. Ai ftoi artistin Genti Tavanxhiu që të bashkëpunonte, organizonte dhe drejtonte “Simpoziumin e Skulpturës” bashkë me skulptorin korçar Vladimir Topi.
AKTET VANDALE
E filluar në vitin 2008 projekti nga viti në vit e konsolidoi vazhdimësinë e tij jo pa vështirësi dhe duke kaluar pengesa nga më të ndryshmet. Pati dhe akte vandalizmi, por kjo nuk i dekurajoi organizatorët dhe dashamirësit e artit, që kishin një vizion të qartë dhe modern për realizimin e projektit. Artistët e ardhur nga 20 vende të ndryshme të botës u mirëpritën dhe ju krijuan kushtet më të domosdoshme nga ana e Bashkisë Korçë. Në Parkun Rinia, siç njihet në Korçë parku pranë stadiumit të qytetit, çdo vit, në një nga muajt e verës krijohej në natyrë një atelie e madhe e skulpturës moderne. Artdashësit, intelektualët, nxënësit, studentët dhe qytetarët patën mundësinë ekskluzive të ishin të pranishëm në momentin e transformimit të blloqeve të gurit apo mermerit brenda pak ditëve në vepra arti, ku artistët transmetonin kulturën dhe shpirtin e vendit nga ata vinin.
41 ARTISTË
Artistët pjesëmarrës gjatë këtyre 6 edicioneve të para realizuan 41 vepra arti në skulpturë kryesisht në gur dhe mermer. Artistët e ftuar erdhën nga Japonia, Zelanda e Re, Gjermania, Serbia, Italia, Turqia, Franca, Rumania, Bullgaria, Spanja, Portugalia, Egjipti, Qipro, Anglia, Belgjika, Greqia, Hungaria, Kina dhe Shqipëria. Krijimi i Parkut të Skulpturës u lidh ngushtë edhe me emrin e arkitektit gjerman Peter Wilson dhe zyrën e urbanistikës së qytetit, Këshillin Bashkiak të cilët nuk i lanë veprat në pritje për tu realizuar i gjithë totali prej 140 punimesh, por i vendosën nga viti në vit edhe në rrugët kryesore të qytetit, duke krijuar kështu “bashkëbisedimin” artistik dhe kontaktin direkt me qytetarët skeptikë dhe ata dashamirës, të cilët pak e nga pak u ambientuan me këto vepra. Të mësuar për gati 80 vite me skulpturën realiste figurative të vendosur që në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX në sheshin kryesor të qytetit, siç ishte figura impozante dhe mjaft e bukur e Luftëtarit Kombëtar, si dhe me monumente të tjera në rrugët kryesore të qytetit të Korçës; të ndryshoje traditën menjëherë ishte një hap i guximshëm dhe me mjaft përgjegjësi.
Pranimi i veprave skulpturore në mermer dhe gur ku përparësi tashmë merrte forma e madhe, loja e tyre brenda materialit të fortë e shoqëruar me një lakonizëm estetik formal, ishte dhe për qytetarët e Korçës një risi dhe ndryshim në konceptin e tyre mbi skulpturën. Sigurisht që në ekspozitat e artistëve korçarë, të pas viteve ’90 mjaft prej tyre kishin ekspozuar në dimensione modeste punime në skulpturë me karakter të theksuar formalist apo edhe të stilizuar të figurës njerëzore dhe objekteve të tjera. Nga këta artistë mund të kujtojmë punimet mjeshtërore të Vladimir Kaçakut, Vasillaq Kolevicës dhe të Vladimir Topit, por realizimi në diSkulpturës në Evropë, nuk është e re. Historia a Simpoziumit të Skulpturës filloi në vitin 1959 në St.Margaret në Austri, ku skulptori Karl Prantl solli një risi në art duke ftuar kolegët dhe artistët që ai konsideronte për të krijuar skulptura, duke punuar së bashku për një periudhe kohe në “Open Air”, me projekt për një vend specifik. Miqtë e tij e adoptuan idenë duke ftuar me radhë miqtë e tyre nga vende të ndryshme. Kështu lindën në të gjithë botën “parqe me skulptura” si dhe “Open Air Museum” .
Kjo eksperiencë që kishte vite që realizohej nga artistët në Evropë e më gjerë duke filluar vitet ’50 të shekullit XX, u përcoll në Shqipëri nga artisti Genti Tavanxhiu, që tashmë banonte në Itali, i cili ishte bërë pjesë e tyre duke filluar nga viti 1999. Profesionalizmi i tij artistik, shpirti krijues dhe raporti i ngrohtë që ai ruajti me Shqipërinë dhe miqtë e tij artistë dhe pushtetin lokal, në qytetin e Korçës krijuan mundësinë e realizimit vit pas viti të Simpoziumit të Skulpturës që ishte dhe baza e projektit të Parkut të Skulpturave – Korçë – “Open Air Museum”. Në vështrim të parë koleksioni prej 41 punimesh në skulpture krijon emocionin e një uniteti dhe diversitet të njëkohshëm. Veprat nuk kanë ndryshime të mëdha në dimensione në shikim të parë, por ato ruajnë brenda tyre shpirtin artistik, elegancën, shijen artistike të disa prej artistëve të njohur në skulpturën bashkëkohore evropiane. Uniteti i tyre edhe pse i krijuar nga artistë nga vende të ndryshme ka lidhje me konceptin e tyre mbi skulpturën moderne të realizuar në material të fortë (mermer e gur). Të gjithë pa përjashtim përdorin të njëjtat mjete për mermerin: Daltën, çekiçin, gurin zmeril me disqe diamanti etj. Të gjithë krijojnë me fantazinë e tyre vepra unikale, posaçërisht për qytetin mikpritës të Korçës. Diversiteti i tyre qëndron në kulturat nacionale që ata si artistë përcjellin në veprat e tyre, kjo gjë mund të dallohet nëse ndalon para veprës dhe zbulon elementët e zgjedhur nga artisti.
Në fakt kemi të bëjmë me artistë seriozë që impenjohen maksimalisht duke krijuar vepra, të cilat përveç vlerave estetike – volumeve – formave që ndërthuren brenda njëratjetrës, përcjellin emocionin e qëndrimit në Shqipëri, të kontaktit të tyre me qytetin, me kulturën dhe artin e tij. Genti Tavanxhiu është artisti që nuk u dekurajua nga vështirësitë e ndryshme objektive edhe subjektive. Ai duke qenë pjesëmarrës në Simpoziumet Ndërkombëtare në dhjetëra shtete me pasionin dhe dashurinë për vendin e tij, vazhdon të jetë organizatori dhe artisti i Simpozimut të Skulpturës në qytetin e Korçës që pas pak vitesh do të kthehet në Parkun e parë – unikal të Skulpturave – në natyrë në Shqipëri. Simpoziumi i Skulpturës më 1 korrik “hapi dyert” në edicionit të 7-të. Në këtë edicion janë ftuar të marrin pjesë 6 artistë, 4 të huaj dhe 2 shqiptarë. Ata janë: Nilhan Sesalan – Turqi; Christos Lanitis – Qipro; Francesca Bernardini – Itali; Chiu Tai-Yang – Taiwan; Vladimir Topi – Shqipëri; dhe Ardit Beli – Shqipëri. Ata do të japin kontributin e tyre artistik duke gdhendur skulptura të reja në gur dhe në dru, duke i dhuruar kështu qytetit edhe 6 vepra; që do ti bashkëngjiten atyre paraardhëse. Sponsorët e këtij projekti këtë vit janë Bashkia Korçë dhe Ministria e Kulturës. *Studiues/Kurator arti
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
