Dinamo e ndali sërish ecurinë pozitive prej dy fitoresh duke barazuar pa gola në transfertë ndaj Egnatias.

Blutë e kryeqytetit zhvilluan një ndeshje të mirë në Rrogozhinë, megjithatë nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës për të vijuar me ecurinë e fitoreve radhazi. Por, “nëndetësja” nuk ka shumë kohë për të humbur duke qenë se e presin dy ndeshje mjaft delikate në pak ditë, duke qenë se do të ketë ndeshje në fundjavë dhe në mesjavë, duke mos dhënë shumë kohë për të pushuar.

FAZA E PARË- Dinamo do të luajë edhe dy ndeshje të tjera para se të mbyllë fazën e parë. Kryeqytetasit do të përballen të shtunën me skuadrën e Vorës, megjithatë ende është e paqartë se ku do të luhet kjo sfidë. Fakti që Laçi luan të shtunën në shtëpi, nuk e lejon Vorën që të luajë të premten, duke bërë që të kërkohet për një stadium. Pas Vorës, Dinamo do të luajë derbin e kryeqytetit ndaj Partizanit. Sfida ndaj të kuqve, është planifikuar që të luhet të mërkurën në “Elbasan Arena”, duke qenë se stadiumi “Selman Stërmasi” është mbjellë.

REKORDI I PIKËVE- Dinamo ka grumbulluar këtë sezon 11 pikë në 7 javët e para të kampionatit, ndërkohë që të njëjtën sasi pikësh ka pasur edhe sezonin e shkuar pas 7 javëve të para. 3 fitore dhe 3 barazime, i kanë mjaftuar skuadrës së Dajës për të barazuar shifrat e sezonit të shkuar, ndërkohë që ka ende mundësi për të bërë më mirë. Vjet, Dinamo e shihte veten në kuotën e 15 pikëve pas fazës së parë, teksa këtë sezon duhet që të fitojë të dyja ndeshjet për të kaluar rekordin dhe për të pasur 2 pikë më shumë.

GJENDJA E SKUADRËS – Dinamo ka zhvilluar pasditen e djeshme seancën e parë stërvitore për ndeshjen ndaj Vorës. Individualisht është stërvitur sërish Gasama Karamba, i cili ka pasur një dëmtim në stërvitje dhe nuk ishte me skuadrën as ndeshjen e fundit ndaj Egnatias, duke shtuar në atë mënyrë mungesat në skuadër. Një tjetër mungesë e rëndësishme për Dinamon, do të jetë ajo e mbrojtësit Lorran. Braziliani u ndëshkua me karton të kuq ndaj rrogozhinasve, duke lënë skuadrën me 10 lojtarë e duke u bërë kështu mungesë e sigurt.

RIKTHIMET- Me skuadrën është rikthyer tashmë Florenc Farruku i cili ka sjhlyer pezullimin e kartonit të kuq, të marrë në ndeshjen e shkuar ndaj Flamurtarit. Në ndeshjen ndaj Egnatias, kapiteni Dita u zëvendësua në pushimin mes pjesëve, për shkak të një virozë që ia bëri të pamundur të vazhdonte në të dytën. Megjithatë, gjendja e tij është e mirë tashmë dhe ditën e djeshme ishte në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës.

FESTA- Dita e djeshme ka qenë një festë në kampin dinamovit, pasi trajneri Ilir Daja ka festuar ditëlindjen. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar që pasdite skuadra të zhvillojë seancën e radhës stërvitore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb