Bashkimi Evropian ka ndarë tashmë gati 178 miliardë euro për Ukrainën që nga fillimi i luftës.

Kjo u deklarua nga Valdis Dombrovskis, Komisioneri për Çështjet Ekonomike i Parlamentit Europian, gjatë fjalimit të tij në seancën e Parlamentit Europian në Strasburg.

“Në total, Bashkimi Evropian ka siguruar tashmë 178 miliardë euro ndihmë për Ukrainën, që është më shumë se çdo vend tjetër në botë. Nga kjo shumë, 62.3 miliardë euro janë ndarë për mbështetje ushtarake për Kievin përmes Fondit Evropian të Paqes”, vuri në dukje Dombrovskis.

Ai kujtoi se në vitin 2024, me iniciativën e Komisionit Evropian, vendet e G7-ës i akorduan Kievit një linjë krediti me vlerë 45 miliardë euro, e cila synon të shlyhet duke përdorur të ardhurat nga asetet e ngrira të Rusisë. Më shumë se 22 miliardë euro nga këto fonde janë shpenzuar tashmë.

Sipas Dombrovskis, Bashkimi Evropian do ta furnizojë Ukrainën me afërsisht 1.6 milionë predha artilerie të kalibrit të madh në vitin 2025 dhe do ta rrisë prodhimin e saj nga 300,000 në vitin 2022 në 2 milionë në vitin 2025.

Së fundmi, ai theksoi se Ukraina ka nevojë për fonde shtesë dhe bëri thirrje për përshpejtimin e përgatitjeve për shpronësimin e aseteve të ngrira ruse sipas skemës së kredisë së kompensimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb