Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë dhe zyrtarëve të lartë të saj në lidhje me projektin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës. Në një konferencë për mediat, Berisha ka denoncuar procesin e ndarjes dhe transferimit të aksioneve në këtë projekt, duke e quajtur atë “një aferë korruptive të paprecedentë” që kërkon hetim të menjëhershëm.

Sipas tij, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, të cilës iu referua si “Lubia”, jo vetëm që firmosi kontratën për një garanci prej 140 milionë eurosh, por më vonë ka firmosur edhe transferimin e aksioneve nga kompania turke me përvojë në ndërtimin e aeroporteve, tek MABCO Construction, një kompani në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli.

“Që në këtë moment tenderi bie poshtë,” deklaroi Berisha. “Shtylla kryesore e tenderit ishte kompania turke, e cila kishte eksperiencë në ndërtimin dhe menaxhimin e aeroporteve. Ndërkohë, kompani të tjera që nuk e kishin këtë ekspertizë u përjashtuan nga gara. Por çfarë ndodhi? Kompania me ekspertizë largohet, dhe Balluku firmos kalimin e aksioneve te MABCO, si të ishte prona e saj personale.”

Berisha ngriti dyshime të forta mbi qëllimin dhe përfituesit e vërtetë të këtij transferimi: “Tani çdo shqiptar ka të drejtë të dyshojë se ato aksione janë të Edi Ramës dhe Lubi Ballukut. Kjo kërkon hetim të thellë. Pse u angazhua me aq intensitet Rama, Balluku, Taulant Balla dhe të tjerë në këtë aferë? Sepse kemi të bëjmë me një marrëveshje mes dy ortakëve pa asnjë lidhje me shtetin.”

Ai shtoi se qeveria ka miratuar vetëm një transferim aksionesh gjatë këtyre katër viteve, dhe pikërisht atë të kompanisë turke te MABCO, çka sipas tij përbën shkelje të ligjit. “Nuk ka një dokument që të tregojë transferimin e aksioneve nga Pacolli te Valon Ademi. Nuk ka. Dhe tani të gjithë vërsulen, por unë kam denoncuar Pacollin dhe Valonin nuk e kam njohur kurrë më parë,” tha ai.

Berisha e cilësoi të gjithë procesin si një “mega aferë korruptive” që duhet të hetohet nga organet e drejtësisë dhe shtoi se kontrata dhe çdo vendim i lidhur me këtë projekt akuzon drejtpërdrejt Edi Ramën, Belinda Ballukun dhe të gjithë zyrtarët që e kanë mbështetur.

Ai theksoi se Pacolli dhe Valon Ademi janë thjesht “prestanome” dhe se aksionet në të vërtetë i përkasin Ballukut dhe kryeministrit Rama. Berisha po ashtu nënvizoi se dy ish-ministra të qeverisë, Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri refuzuan të firmosin shkresat në lidhje me aeroportin e Vlorës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb