Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato ka deklaruar se qendra e riciklimit të mbetjeve jashtë Përmetit do të bëjë të mundur uljen e mbetjeve.
Në një vizitë të zhvilluar në Përmet, ku u takua me kryetaren e bashkisë Alma Hoxha për projektin e Qendrës së Riciklimit të Mbetjeve.
Gonzato tha se kjo qendër do të riciklojë gjithashtu plastikën, letrën, kartonin, aluminin dhe qelqin dhe në këtë mënyrë do të ulet ndikimi i mbetjeve te mjedisi.
“Një ndikim që është rritur edhe për shkak se është rritur turizmi”, tha ai.
Gonzato u shpreh se këto projekte vijnë në kuadër të negociatave të Shqipërisë me BE-në dhe grup-kapitullit të mjedisit, që është edhe më i vështiri.
“Shqipëria ka hapur 5 nga 6 grup-kapitujt që duhet të negociojë me BE. Dhe grup-kapitulli fundit që u hap përfshin gjithçka që ka të bëjë me ndryshimet klimatike dhe mjedisin. Ky është kapitull shumë i ndërlikuar me disa objektiva të qarta dhe ambicioze”, tha Gonzato.
Ambasadori theksoi se, deri në vitin 2036, në Shqipëri 65% e mbetjeve duhet të riciklohen dhe prandaj shtoi ai duhet të nisë puna që tani.
“Në Shqipëri deri në vitin 2036, 65% e mbetjeve do duhet të riciklohen. Që do të thotë se puna duhet të fillojë që tani. Po që tani duhet të fillojmë dhe të ndryshojmë edhe mendësinë e qytetarëve”, tha ai.
