Ballshiotët pas dy ditësh janë mysafirë në orën 17:00 në “Elbasan Arena”, ku do të përballen me vendasit. Një transfertë si kjo me Elbasanin, sigurisht që në Ballsh ka ngjallur interes, por edhe fokusim nga të gjithë faktorët. Aq më tepër që skuadra ka pësuar dy humbje radhazi, të cilat kanë sjellë edhe ndërlikim të pozitave në tabelën e renditjes.

Që nga grumbullimi në stërvitje, Bylisi duket se tashmë synon sa më shpejt kthesën. Stafi dhe trajneri Mirel Josa po shpresojnë që t’i kenë të gjithë lojtarët gati këtë transfertë mjaft delikate. Ndaj, te Vllaznia u panë shumë lëvizje dhe risi në formacion, edhe për shkak të mungesave dhe problemeve shëndetësore të lojtarëve.

Gjithsesi, Bylisi kërkon që të largohet sa më parë nga zona e rrezikut dhe për këtë do të synojë grumbullimin e sa më shumë pikëve, qoftë edhe jashtë fushe. Fakti që janë disa lojtarë që janë më në formën e tyre më të mirë mund të detyrojë stafin që të ndërtojë një formacion ideal, i cili t’u kundërpërgjigjet skemave verdheblu. Mund të kthehet Abazaj në mbrojtje, por edhe Kamara, ndonëse Kane po bën mirë me qetësinë që e karakterizon në linjën e djathtë, por shpesh zhvendoset edhe para mbrojtjes. Natyrisht që edhe Malomo këtë herë mund të përfshihet në ndihmë të ofensivës.

SULMI – Me Mustafën, i cili duket se në ofensivë ka bërë edhe detyra mbrojtëse, duke marrë tërë topat e parë ndaj Vllaznisë, duket se mallakastriotët kanë fituar edhe një tjetër talent. Bëhet fjalë për 20-vjeçarin nigerian, Abdullahi Rabiu, i cili duket se me eurogolin e shënuar ndaj skuadrës së Vllaznisë ka rritur vlerën e tij. Me ambientimin në klubin mallakastriot, ai duket gati edhe për një fanellë titullari. Sulmuesi, i cili është pjesë edhe e Nigerisë U-20, shihet si një lojtar me shumë të ardhme, dhe nuk është çudi ta nisë nga minuta e parë në vijim të garës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb