Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e cilësoi sulmin pranë Kuvendit Kombëtar si një “akt terrorist me motive politike”, i kryer nga një ish-punonjës i Sigurimit të Shtetit, me qëllim që të shkaktonte panik në publik.
“Është çështje kohe kur diçka e tillë do të ndodhte”, shtoi ai.
Në një konferencë për shtyp, Vuçiç bëri të ditur se autori është 70 vjeç, ka punuar deri në pensionim në Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Shtetit (BIA) dhe kishte shkuar në kamp me një bidon benzine me qëllim për ta djegur.
Gjatë konferencës u transmetua një video me dëshminë e parë të autorit përballë policisë, ku ai deklaron se “e shqetësonte prania e kampit të ngritur në qendër të qytetit dhe donte ta zhdukte atë”.
Autori gjithashtu tha se e plagosi viktimën gabimisht, në momentin kur po qëllonte me armë në drejtim të vendit ku kishte hedhur benzinë për të shkaktuar zjarr.
Ngjarja shkaktoi alarm ditën e sotme pranë parlamentit, pas të shtënave me armë zjarri dhe shpërthimit të një zjarri.
Agjencia Tanjug raportoi se policia e Beogradit arrestoi një burrë përballë Kuvendit Kombëtar, si të dyshuar për plagosjen me armë zjarri të një personi tjetër. Autoritetet u vunë në lëvizje pasi zjarri kishte shpërthyer në kampin me çadra që ndodhej aty pranë. Në vendngjarje mbërritën prokuroria, policia dhe shërbimet zjarrfikëse për shuarjen e zjarrit.
Incidenti ndodhi pak para një proteste të planifikuar më 1 nëntor, për përvjetorin e parë të shembjes së çatisë së një stacioni treni, një ngjarje që shkaktoi zemërim masiv dhe protesta të mëdha të udhëhequra nga të rinjtë kundër Vuçiçit, i cili është në pushtet që nga viti 2017.
Protesta është planifikuar të mbahet në qytetin Novi Sad, në veriperëndim të Beogradit, aty ku ndodhi incidenti. Në atë aksident humbën jetën gjithsej 16 persona, dhe shkaku i tragjedisë u lidh me pakujdesinë.
Lëvizja e protestuesve nga brezi i Gjeneratës Z në Serbi po kërkon që Vuçiç të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare, por deri më tani, ai ka refuzuar.
