Liverpool “zgjohet” më në fund, “ngjallet” në Champions, duke i dhënë fund ecurisë shumë negative këtë periudhë. Pas katër humbjeve radhazi, të kuqtë rikthehen të festojnë, këtë e bëjnë përballë Frankfurt duke triumfuar me rezultatin e thellë 5-1.

Gjermanët i trembën jo pak në start pasi ishin të parët që kaluan në avantazh në minutën e 26-të me Kristensen, por ekipi i Slot reagoi fuqishëm duke përmbysur gjithçka brenda pjesës së parë. Fillimisht ishte Ekitike, me ishin e madh të këtij takimi, që riktheu baraspeshën pas një kundërsulmi të shpejtë. Liverpool përfitoi nga një përgjumje totale në qendër të mbrojtjes së Frankfurt, duke realizuar dy gola të tjerë thuajse fotokopje, gjatë goditjeve nga këndi. Fillimisht ishte Van Dijk që në shtyllën e parë përmbysi rezultatin, ndërsa në minutën e 44-të, Konate sërish me kokë dërgoi shifrat në 1-3.

Historia nuk ndryshoi as në fraksionin e dytë, me Liverpool gjeti edhe dy herë të tjera rrugën e rrjetës. Në minutën e 66-të, Wirtz futi një top perfekt në zonë, aty ku Gakpo e kishte të lehtë të realizonte me portën e boshatisur. Katër minuta më pas ishte Szoboszlai që kompletoi “manitën” e golave me një goditje të saktë nga distanca.

Fal këtij suksesi, Liverpool ngjitet në vendin e 10-të në kuotën e 6 pikëve. Arne Slot, trajneri i të kuqve ka një arsye të fortë për të buzëqeshur pas kësaj fitoreje: “Kjo ishte mënyra më e mirë për të reaguar, edhe pse pashë gjëra të ngjashme me ndeshjet e fundit”, u shpreh Slot i cili nuk u shfaq i shqetësuar për faktin që Isak, blerja më e shtrenjtë në historinë e klubit jo vetëm që nuk arriti të shënojë, por doli nga fusha i dëmtuar.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: