News24 shënon 23 vite jetë, më shumë se dy dekada punë, përkushtim dhe besim të pandërprerë në një mision që s’ka qenë asnjëherë i lehtë, të thuash të vërtetën pa frikë dhe të informosh publikun me integritet.

Që nga dita e parë e transmetimit, ky televizion ka qenë një hapësirë e lirë për fjalën, për qytetarët, për ata që trokasin në dyer të mbyllura, një zë që nuk është përkulur as përballë presioneve politike, as përballë vështirësive ekonomike, as përballë sulmeve të hapura ndaj gazetarisë së pavarur.

Për 23 vite, News24 ka qenë në zemër të çdo ngjarjeje të rëndësishme në vend. Ka raportuar me përgjegjësi, ka dhënë hapësirë për çdo zë qytetar dhe ka ruajtur me fanatizëm standardin e gazetarisë së balancuar dhe të ndershme. Kjo histori nuk është ndërtuar mbi emra, por mbi njerëz. Gazetarë që punojnë ditë e natë, redaktorë që mbajnë peshën e çdo lajmi, operatorë që janë në terren në çdo mot e situatë, teknikë që sigurojnë që zëri i vërtetë të mos shuhet kurrë.

Edhe pas sulmeve të fundit, përfshirë presionet e hapura nga strukturat shtetërore, pas largimit arbitrar nga redaksitë, News24 tregoi se pavarësia nuk është vetëm parim redaksional, por pjesë e ADN-së së tij.

Falë vendosmërisë dhe besimit të palëkundur të botuesit z.Irfan Hysenbelliu, News24 u ringrit në një moment kur askush nuk e besonte dhe shumëkush do ishte dorëzuar. Aty ku u tentua të shuhet zëri i pavarësisë, lindi një energji e re, një forcë që e bëri redaksinë më të bashkuar, më të guximshme dhe më të sigurt në rrugën e saj. Ky vendim për të mos u dorëzuar ishte më shumë se një akt menaxhimi, ishte një qëndrim moral dhe profesional që i dha kuptim të vërtetë fjalës “liri mediatike”.

Ky televizion i ka mbijetuar kohës sepse nuk është lidhur me pushtetet, por me publikun; nuk ka kërkuar favore, por respektin që buron nga profesionalizmi.

Sot, në 23-vjetorin e tij, News24 nuk feston thjesht një përvjetor, feston besnikërinë ndaj publikut dhe qëndrueshmërinë ndaj një ideali, që e vërteta, sado e vështirë të thuhet, është gjithmonë më e fortë se çdo presion.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: