Në Gjermani, anëtarë të partisë në pushtet, CDU-së konservatore, kanë hapur diskutimin a duhet të zbutet qëndrimi i prerë ndaj partisë pjesërisht ekstremiste të djathtë AfD. AfD-ja vazhdon ngjitjen në sondazhe nacionale.
Gazetari i Deutsche Welle, Auron Dodi në një lidhje me News24 tregoi më shumë në lidhje me situatën politike në Gjermani.
A.Dodi: Bëhet fjalë kryesisht për disa deklarata publike, të anëtarëve të njohur të CDU-së. Dhe të politikanëve rajonalë, që përballen në këshilla bashkiakë me AfD-në.
Si shembuj: fillimisht ishte ish-Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Peter Tauber, që kërkoi t’i jepet fund politikës së izolimit të AfD-së. Ai kërkoi “reflektim për një politikë të re të vijës së kuqe”.
Në nivel rajonal, një kryetare e sapozgjedhur bashkie në landin lindor të Brandenburgut, në Bad Freienwalde, deklaroi se nuk mund ta injorojë faktin, se 48% e zgjedhësve, votuan për kandidatin e AfD-së. Për këtë shkak ajo vetë mezi i i fitoi zgjedhjet. Ajo tha se është e nevojshme të kërkohet dialog me AfD-në, në nivelin e këshillit të qytetit.
Kurse ish-kryetari rajonal i CDU-së në landin e Tyringenit, Mike Mohring, i tha revistës Politico se “qytetarët duan, që qeveritë, të përfaqësojnë shumicën e votuesve”. Ai tha se vendimi i papajtueshmërisë me AfD-në ka qenë i mirë “për vetëafirmimin e CDU-së, por larg realitetit, veçanërisht në lindje”.
News24: Po si ka reaguar CDU si parti dhe kancelari Merz ndaj kërkesës për të rishqyrtuar vijat e kuqe në lidhje me AfD-në?
A.Dodi: CDU-ja dhe Friedrich Merzi refuzojnë çdo zbutje të vijave të kuqe në lidhje me AfD-në. Në një mbledhje të kryesisë së partisë, organit më të lartë, të dielën (19.10.), Merzi e bëri të qartë se nuk do të ketë bashkëpunim me AfD-në. Të hënën ai e quajti AfD-në sërish”kundërshtarin kryesor”.
Kryesia e CDU-së vendosi të mos ketë asnjë zbutje të strategjisë së distancimit, asnjë afrim, asnjë bashkëpunim. Asnjë qeveri minoriteti, të toleruar nga AfD-ja në zgjedhjet e ardhshme në lande. Vendimi i papajtueshmërisë me AfD-në dhe me partinë E Majta, i vitit 2018, mbetet në fuqi, pa ndryshim.
Megjithatë, strategjia do të përshtatet. U tha se CDU-ja duhet të paraqesë zgjidhje, të distancohet nga retorika apokaliptike e AfD-së. Dhe të bëhet një “burim inkurajimi”. Ky në fakt është një proces.
Me fjalë të tjera: mbledhja e kryesisë së CDU-së, rikujtoi se ruajtja e vlerave demokratike, kërkon më shumë sesa thjesht demarkacion-kërkon bindje aktive të qytetarëve.
Edhe qëndrimi i socialdemokratëve ndaj AfD-së mbetet i prerë. Kryeministri socialdemokrat i landit të Brandenburgut, Dietmar Woidke, tha se që të bjerë muri mbrojtës, AfD-ja duhet të flakë jashtë të gjithë ekstremistët, të gjithë neonazistët… dhe të tjerë që e përçmojnë këtë shtet.
News24: Si shpjegohen tani zërat që mbështesin zbutjen e qëndrimit ndaj AfD-së?
A.Dodi: AfD po fiton terren në sondazhe. Po arrin rreth 25% në sondazhet kombëtare. Dhe është në garë me CDU/CSU. Kordoni sanitar apo “muri mbrojtës” që nga viti 2018 për mosbashkëpunim me AfD-në, nuk e ka dobësuar atë. Në zgjedhjet komunale në landin e madh, Rini Verior-Vestfalia, AfD-ja i trefishoi votat që kishte.
Në nivel lokal, në Paderborn, p.sh., të qeverisur nga CDU-ja për tetë dekada rresht, kandidatit për kryetar bashkie iu desh të shkonte në balotazh për herë të parë, pasi humbi vota ndaj AfD-së. Kandidati i AfD-së mori 15% -dhe trefishoi rezultatin e vitit 2020.
Një strategji e kandidatit të AfD-së atje ishte paraqitja e AfD-së si CDU-ja tradicionale. Ai u tha medieve se ata që votuan për CDU-në, tani përballen me politikë të gjelbër dhe të kuqe.
Diferencimi politik funksionon, kur shoqërohet me alternativa bindëse.
News24: Si perceptohet aktualisht nga populli situata e përgjithshme në Gjermani, cila është atmosfera?
A.Dodi: Një psikolog i njohur, Stephan Grünewald ka folur për një ndjenjë pafuqie në rritje te shumë njerëz. Ai tha se muri mbrojtës ndaj AfD-së, nga shumë vetë perceptohet si “digë”: sipas tij, njerëzit kanë ndjesinë se në anën tjetër të murit mbrojtës (pra atje ku është AfD-ja), ka njerëz që dinë t’ia dalin mbanë më mirë.
Një sondazh interesant i fundit, evidenton më tej, një burim prej ku vazhdojnë të ushqehen pikëpamjet anti-establishment: sondazhi i Institutit Forsa (i porositur nga Universiteti Hohenheim i Shtutgartit) tregon se 17% e gjermanëve vazhdojnë të kenë një botëkuptim populist të djathtë. Dhe 17% e gjermanëve është e barabartë me 14 milionë vetë.
Një e katërta e të anketuarve të sondazhit reprezentativ besojnë se politika kontrollohet nga “fuqi të fshehta”. Dhe më shumë se 20% janë të bindur se media e gënjen „me sistem“ popullin.
Njerëzit me botëkuptim populist, sipas politologut Frank Brettschneider, e vlerësojnë “cilësinë e jetës në rajonin e tyre si dukshëm më të keqe. Ata janë më pak optimistë për të ardhmen. Dhe shpesh besojnë se gjërat dikur ishin më mirë”.
Problematike, po të kemi parasysh se rreziku më i madh për një demokraci nuk janë kërcënimet e jashtme, por një humbje e besimit te qytetarët e saj.
News24: Si vlerësohet në përgjithësi në popull puna e qeverisë Merz?
A.Dodi: Kancelari Merz ka forcuar besimin dhe krenarinë për Gjermaninë te shumë njerëz, me rolin e tij aktiv në politikën e jashtme. Por në Gjermani ka ende njerëz që janë skeptikë. Presioni po rritet edhe për shkak të zgjedhjeve të ardhshme rajonale, në pesë lande federale.
Migrimi dhe ekonomia janë temat për të cilën e zgjodhën CDU/CSU. Dhe ekonomia gjermane vazhdon stanjacionin më të gjatë, që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ka padurim dhe pakënaqësi për reformat, që është zotuar të ndërmarrë qeveria. Siç e shprehu për shembull presidenti i Shoqatës së Prodhuesve të Makinerive, Bertram Kawlath, në samitin e 16 shtatorit. „Ne ndodhemi në një pikë kthese. Nëse qendra demokratike nuk ofron rezultate, përfitojnë skajet politike. Hezitimi i politikës për reformat ka një çmim të lartë”. Ai tha se numri i falimentimeve dhe humbja e vendeve të punës po rriten. Kawlath-i kërkoi ulje të taksave, më pak burokraci e lehtësim të dhënies së lejeve.
Merzi ka premtuar si përgjigje “një vjeshtë të reformave”. Ai ka dhënë si shpjegim edhe kufizimet, që sjell një koalicion qeveritar me socialdemokratët, SPD. “Nuk jam vetëm në këtë qeveri”, tha ai së fundi. Me një shumicë prej vetëm 13 vendesh të koalicionit qeveritar në Bundestag, çdo debatet brenda koalicionit nxit pasiguri: a do të zbatohen plotësisht reformat e premtuara, apo vetëm pjesë të tyre.
