Në zemër të fshatit Boboshticë në Korçë, u zhvillua aktiviteti “Tregime Fshati”, një fundjavë e veçantë që bashkoi traditën, shijen dhe mikpritjen karakteristike të zonës.Nga gatimet në saç e deri te rakia e manit, gjithçka u përjetua me shumë dashuri edhe nga turistët.
Amvisat boboshtare ndanë sekretet e tyre të vjetra, duke treguar se si gatuhet lakrori me dy petë, një nga traditat më të hershme të kuzhinës vendase.
Turistët nuk ishin vetëm spektatorë, por edhe pjesëmarrës aktivë ata provuan gatimet, por edhe mësuan vetë si të përgatisin lakrorin me dy petë, duke shijuar një përvojë unike e autentike.
Në stendat e degustimit, rakia e manit, krenaria e Boboshticës, u servir në ngjyrën e saj jeshile karakteristike, duke rrëfyer historinë e mjeshtërve vendas që dinë ta përgatisin me kujdes e dashuri.
Burrat e fshatit treguan me pasion procesin e përgatitjes së rakisë, nga manat shumëvjeçare.
“Tregime Fshati” solli një fundjavë plot aromë dhe shije një rikthim te rrënjët dhe një ftesë për të jetuar traditën në frymën e kohës moderne.
