Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se do të rrisë me 10% tarifat për mallrat e importuara nga Kanadaja, pas transmetimit në Ontario të një reklame anti-tarifore që përdorte zërin dhe figurën e ish-presidentit Ronald Reagan.
Në një postim në Truth Social të shtunën, Trump e quajti reklamën një “mashtrim” dhe akuzoi autoritetet kanadeze për “akt armiqësor”, pasi nuk e hoqën atë përpara ndeshjeve të Serisë Botërore në bejsboll.
“Për shkak të keqinterpretimit të fakteve dhe aktit armiqësor, po e rris tarifën ndaj Kanadasë me 10% mbi nivelin aktual,” shkroi Trump.
Reagimi i tij erdhi pas një fushate televizive të qeverisë së Ontarios, e cila citonte një fjalim të Reaganit nga viti 1987, ku ai thoshte se tarifat “dëmtojnë çdo amerikan”. Fondacioni Ronald Reagan e kritikoi videon, duke e cilësuar si “përdorim selektiv dhe pa leje të materialit historik”.
Kanadaja është i vetmi vend i G7 që ende nuk ka arritur një marrëveshje tregtare me SHBA-në, ndërsa Uashingtoni tashmë ka vendosur tarifa deri në 35% për mallrat kanadeze, përfshirë 50% për metalet dhe 25% për automjetet.
