Prokuroria e Posaçme ka regjistruar të premten emrin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku si person nën hetim për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Numri dy i qeverisë “Rama 4” sipas burimeve është thirrur të paraqitet në SPAK të hënën mbi bazën e një shkrese që mban firmën e prokurorit të Posaçëm Dritan Prençi dhe në fletëthirrje Ballukut i speficikohet që të paraqitet e shoqëruar nga avokati ditën e hënë.
Ndërkohë në rrjet është bërë virale një këngë kushtuar Ballukut, ku renditen aferat e kryera.
Aty renditen treguesit e luksit të ministres, krahasuar me situatën në mjekësi ku në spitale mungojnë barnat dhe trajtimet edhe për të miturit.
Më tej në tekst adresohet problem i largimit të qytetarëve dhe të rinjve nga vendi, pasojë kjo e keqqeverisjes sipas krijuesit të këngët të publikuar në kanalin në Youtube TV- Shqipëria
Një ditë më parë kryeministri Edi Rama u shpreh për thirrjen e Ballukut në SPAK, duke thënë se ai nuk komenton.
Nuk dihet nëse Balluku do t’i përgjigjet fletëthirrjes së SPAK dhe në këtë pozitë të re përballë drejtësisë do të vijojë apo jo të qëndrojë në postet qeveritare apo do zgjedhë të largohet me dorëheqje e ta zhvillojë betejën e saj pa mburojën e Partisë Socialiste. Neës24 kërkoi reagim zyrtar nga zyra e shtypit e zëvendëskryeministres, por nuk pati asnjë përgjigje prej tyre.
Belinda Balluku e ushtron detyrën e zv.Kryeministres që prej korrikut 2022, ndërsa atë të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, që prej janarit të vitit 2019. Balluku ishte drejtuese politike e qarkut Fier ku ne zgjedhjet e 11 majit fitoi 12 mandate.
