Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se është optimist për arritjen e një marrëveshjeje tregtare me presidentin kinez Xi Jinping, pas një raundi bisedimesh që Uashingtoni dhe Pekini i cilësuan si të suksesshme, raporton Reuters.
Delegacionet e dy vendeve u takuan në kuadër të samitit të ASEAN-it në Kuala Lumpur, ku arritën një “konsensus paraprak” për shmangien e përshkallëzimit të luftës tregtare.
Sipas sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent, marrëveshja e pritshme parashikon pezullimin e taksave të reja 100% ndaj mallrave kineze dhe shtyrjen e kontrolleve kineze mbi eksportet e metaleve të rralla, si dhe përfshin diskutime për tregtinë bujqësore dhe krizën e fentanylit.
Trump tha se këto hapa do të ndihmojnë fermerët amerikanë dhe do të zbusin tensionet ekonomike mes dy fuqive botërore. Pekini, nga ana e tij, e përshkroi dialogun si “intensiv, por konstruktiv”, duke theksuar se marrëveshja duhet të miratohet nga procedurat e brendshme.
Dy liderët pritet të takohen më 30 tetor në Korenë e Jugut, me mundësi për takime të tjera në Pekin dhe SHBA. Përveç tregtisë, në agjendë janë edhe çështjet e Tajvanit, Hong Kongut dhe ndikimi i Kinës në luftën në Ukrainë.
Ekspertët megjithatë paralajmërojnë se një marrëveshje e plotë mbetet e brishtë, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mbi teknologjinë dhe sigurinë kombëtare.
