Nga av. Gurali Brahimllari
Gjatë ushtrimit të funksionit të avokatit jam ndeshur me problematika jo korrekte të zbatimit në praktikë “ftesës për paraqitje” të personit ndaj të cilit zhvillohen hetime. Përpos rasteve kur ftesa kryhet nga Oficeri i Policisë Gjyqësore, me telefon, edhe kur akti përpilohet me shkrim, konstatohet se përmbajtja nuk është në përputhje me ligjin, të paktën në dy aspekte:
-nuk respektohet, thuajse asnjeherë, detyrimi i nenit 308/3 i K.Pr.P se “Ftesa përmban edhe parashtrimin e përmbledhur të faktit që rezulton nga hetimet e bëra deri në atë çast”.
-edhe pse në përmbajtjen e FTESËS, zakonisht, përcaktohet “lloji i veprimit për të cilin është ftuar” thuajse gjithnjë, akti dergohet në adresën e personit nën hetim me paralajmërimin se prokurori mund të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm në rast mosparaqitje, pa pasur pengesë të ligjshme”.
Një praktike e tillë është në shkelje të hapur të të drejtave të personit në hetim (që barazohen me të drejtat e të pandehurit), të cilat nuk mund të konsiderohen vetëm të drejta formale, por të drejta substanciale të lidhura me garancitë e procesit të rregullt ligjor.
Sipas përmbajtjes së nenit 308 të K.Pr.Penale, del se ligjvënësi ka kërkuar, jo vetëm që akti “Ftesa për paraqitje” duhet të përpilohet me shkrim dhe të mbajë nënshkrimin e Prokurorit, por edhe që në përmbajtjen e Ftesës ose me akt të veçantë, përsonit nën hetim dhe mbrojtjes së tij tu njoftohet përmbledhja e faktit penal që ka rezultuar nga hetimet e kryera “deri në atë çast”. Ky detyrimi i Prokurorit mbështetet në disa dispozita të tjera të ligjit procedurial që parashikojnë të drejtën për mbrojtjen efektive të personit nën hetim (apo të pandehurit), në çdo fazë të procedimit penal.
Madje kjo e drejtë garantohet edhe nga nenet 31 dhe 42 të Kushtetutës Për më tepër që një përmbledhje e faktit penale, edhe pse nuk duhet të bëhet pubike, do të parandalonte spekulimet mediatike, për shkaqet e thirrjes së çdo personi nën hetim dhe posaçërisht të personave publik apo të atyre që janë duke përmbushur funksione të rëndësishme shtetërore.
Ndërsa në rastet kur organi procedues kërkon që “ta marrë në pyetje” personin në hetim, nuk mund e nuk duhet të përshkruajë në ftesë paralajmërimin se prokurori mund të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm në rast mosparaqitje, pa pasur pengesë të ligjshme. Ndonëse ky paralajmërin përshkruhet në “gërmën “ç” të nenit 308/2 të K.Pr.P, është i zbatueshëm vetëm për llojin tjetër të kryerjes se veprimit për të cilën mund të dërgohet FTESA për paraqitje: “….kur duhet të kryejë veprime që kërkojnë praninë e tij”. Veprime hetimore që kërkojnë prezencen fizike të personit në hetim, janë të shumta (lidhen kryesisht me nevojën e kryerjes se ekzeminimeve teknike e biologjike etj), por ky akt, kurrë nuk mund të përmbajë urdhërimin për shoqërimin e detyrueshme, me qëllimin e marrjes në pyetje(përderisa nuk është dëshmitar). Paralajmërimi si më sipër, që përshkruhet rëndom në ftesën për paraqitje vjen në kundërshtim të hapur me disa dispozita të ligjit procedurial, të cilat parashikojnë të drejtën e të pandehurit dhe të personit nën hetim që “të heshtin” apo që të “pyeten në qoftë se bëjnë kërkesë ose kur u kërkohet dhe ata japin pëlqimin.…”.
Madje kjo praktikë duhet të korigjohet sepse, jo vetëm Prokurori, por as Gjykata nuk e këtë tagër përderisa sipas nenit 353/1 të K.Pr.Penale mund ”…të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm të të pandehurit , në qoftë se prania e tij është e domosdoshme për marrjen e një prove, POR JO PËR PYETJEN E TIJ.
Së fundi, nevoja për qartësimin e procedurës per formulimin e aktit“Ftesë për paraqitje” duhet të sjellë domodoshmërinë e përfshirjes së subjektit “dëshmitar i asistuar” i cili gjendet në legjislacionet proceduriale të shumë vendeve të tjera. Personi i ftuar me këtë cilësi edhe pse do të asistohej, në mënyrë të detyrueshme, nga avokati mbrojtës, nuk do të ndalonte Prokurorin që të urdhëronte shoqërimin e detyrueshëm në rast mosparaqitje (sikurse e ka këtë tagër, për çdo person që thirret në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të hetimit), por edhe do të kishte mundësi të ruante më mirë sekretin hetimor të çështjes, përderisa, për subjektin “dëshmitar i asistuar” Prokurori nuk do të ishte i obliguar të bënte të ditur “përmbledhjen e faktit penal”.
