Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ka reaguar pas situatës së krijuar nga moti i keq që përfshiu qytetin dhe rrethinat e tij që nga orët e para të mëngjesit.

Beci bëri të ditur se, falë ndërhyrjes së strukturave bashkiake dhe Emergjencave Civile, situata është tashmë nën kontroll dhe e stabilizuar.

Reshjet e dendura të shiut kishin shkaktuar bllokime në zonat e Bërdicës dhe Gurin e Zi, por ekipet e terrenit ndërhynë menjëherë për të zhbllokuar rrugët dhe për të menaxhuar prurjet e ujit.

“Menjëherë pas njoftimit, strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Shkodër, Ndërmarrja e Shërbimeve Publike, IMT dhe Policia Bashkiake kanë qenë në terren për të zgjidhur problematikat e shkaktuara nga reshjet. Në ndërhyrje janë angazhuar 35 punonjës të shërbimeve publike, 18 efektivë të Policisë Bashkiake, si dhe stafet e Ujësjellësit dhe Emergjencave Civile,” deklaroi Beci në një video-postim në Facebook.

Ai shtoi se situata është përmirësuar ndjeshëm dhe vijon të monitorohet nga afër për të parandaluar çdo problem të mundshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb