Edhe në ndeshjen e fundit ndaj Tiranës, Vllaznia vuajti mungesën e disa futbollistë kryesorë për shkak të dëmtimeve. Reparti më i “goditur” në radhët e shkodranëve ishte mesfusha, me emra si: Qato dhe Dros të cilët nuk ishin as në stolin e ekipit.

E ndërsa Murataj pavarësisht se ishte në stol, nuk u rrezikua për t’u hedhur në fushë, padi fantazisti ende nuk gëzon 100% të formës së tij fizike. Megjithatë në duelin ndaj bardhebluve, mungesa e të sipër përmendurve në fushën e lojës u ndje shumë pak. Kjo edhe falë performancës së atyre që zbritën si titullarë në klasike ndaj kryeqytetasve. E pikërisht një nivel për t’u duartrokitur në ndeshjen më të vjetër të kampionatit tonë shfaqi edhe Eslit Sala.

Mesfushori energjik i kuqebluve bëri kilometra pafund në ndeshjen kundër Tiranës. Duke qenë shumë i domosdoshëm për skuadrën në duelet në mesfushë e patjetër duke dhënë një “dorë” edhe në prapavijë në momentin kur skuadra ngeli me 10 futbollistë në fushë pas daljes me karton të kuq të Kuros që në minutën e 52-të të takimit.

Në këtë mënyrë Sala ishte një “garanci” totale për trajnerin Martini, i cili e la 25-vjeçarin në fushë deri në vërshëllimën finale të takimit. Për numrin “8-të” kjo ishte ndeshja e dytë radhazi si titullar në fushë, pas duelit edhe me Bylis. Ku niveli i shfaqur nga ai patjetër ka kënaqur stafin teknik, e për mesfushorët e tjerë të skuadrës është një “sfidë” e hapur për një vend titullari. Ku në mesfushën e Vllaznisë përsa i përket këtij reparti ka një konkurrencë të madhe, me të gjithë lojtarët që kanë cilësi dhe mund të japin kontributin e tyre për skuadrën kuqeblu.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb