Zv/kryeministrja dhe ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku nuk u paraqit sot në SPAK, pas fletëthirrjes nga ana e Prokurorisë së Posaçme. Mësohet se Balluku akuzohet nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera.
Nga foltorja e Kuvendit, deputetja e Partisë Demokratike Elda Hoti iu referua refuzimit të Ballukut për t’u paraqitur në SPAK. Hoti tha se numri 2 i qeverisë po justifikohet me një vizitë zyrtare jashtë vendit.
“Sot që flasim për drejtësinë, ministrja Belinda Balluku e cila është person nën hetim nga SPAK, nuk paraqitet me justifikimin se ndodhet në një vizitë zyrtare”, tha Hoti.
Deputetja demokrate shtroi një sërë pyetjesh drejtuar institucioneve të drejtësisë, ku theksoi se: “Në cilin vend demokratik drejtësia pret që të mbaroj udhëtimi i ministres për të nisur hetimin?”.
Gjithashtu, Hoti u shpreh se “drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë, pa dallim funksioni apo pozite politike”.
“Sot që flasim për drejtësinë, ministrja Belinda Balluku e cila është person nën hetim nga SPAK, nuk paraqitet me justifikimin se ndodhet në një vizitë zyrtare. Pyetja që ka çdo shqiptar sot është e thjeshtë: Cila vizitë zyrtare është më e rëndësishme se paraqitja përpara drejtësisë? Në cilin vend demokratik një ministre nën hetim lejohet të mos paraqitet vetëm se është në pushtet. Në cilin vend demokratik drejtësia pret që të mbaroj udhëtimi i ministres për të nisur hetimin? Nëse drejtësia është e pavarur duhet t’i trajtoj të gjithë njësoj, qytetar, ministra, opozitë e pushtet.
