Kreu i Prokurorisë së Posaçme, SPAK, Altin Dumani, komentoi për herë të parë të hënën hetimet e nisura ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku gjatë raportimit në një seancë plenare maratonë.

“Lidhur me çështjen, është çështje në hetim dhe nuk kam komente për të dhënë,” u tha Dumani deputetëve.

I pyetur nga opozita nëse prokurori Dritan Prençi që ka firmosur fletë-thirrjen në SPAK për Ballukun kishte marrë presione nga politika për këtë çështje, Dumani tha: “nuk më ka paraqitur shqetësim për kërcënime për shkak të funksionit”.

Dumani shtoi se Prençi dhe të gjithë prokurorët e tjerë kanë pasur mbështetjen e tij si kryetar i SPAK për hetimin e çdo çështjeje.

Numri i dy i qeverisë, Belinda Balluku, po hetohet nga SPAK për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera. Ajo ishte thirrur në SPAK të hënën, por nuk u paraqit pranë kësaj prokurorie. Në Facebook, Balluku postoi foto nga një vizitë pune në Bukuresht të Rumanisë.

Kryeministri Edi Rama komentoi nga Berlini gjatë një interviste për Deutche Welle në vija të përgjithshme në lidhje me hetimin e Ballukut, duke folur për prezumim të pafajsisë.

“Nuk kam asnjë koment për asnjë rast, sepse siç e kam thënë, ne kemi punën tonë, drejtësia ka punën e vet,” tha Rama duke shtuar se “dhe deri kur çështje të caktuara të marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe të padënueshëm nga gjykata popullore e politikës dhe mediave që i shërbejnë politikës,” përsëriti ai.

Belinda Balluku iu bashkua kabinetit të Ramës si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë në vitin 2019 dhe kontrollon prej më shumë se pesë vitesh portofolin më të madh qeveritar. Ajo është zv.kryeministrja e dytë e Ramës që po përballet me SPAK pas Arben Ahmetajt.

Balluku është gjithashtu një nga ministret më të akuzuara nga opozita, e cila ka depozituar në SPAK një sërë kallëzimesh mbi kontrata të mëdha publike të dyshuara për korrupsion. Është ende e paqartë se për cilën nga çështjet e denoncuara është regjistruar procedimi penal.

Të premten, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi denoncoi përmes një statusi në Facebook një situatë të gjithanshme presioni ndaj prokurorit që po heton çështjen e saj./ BIRN

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb