Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalimin e tij në Kuvend pas raportimit të kreut të SPAK, Altin Dumani, akuzoi Prokurorinë e Posaçme për mungesë hetimesh ndaj aferave ndërkombëtare që, sipas tij, lidhen me kryeministrin Edi Rama.
“A e dini ju se për aferën ‘Aruba’ nuk kemi asnjë dijeni? Antimafia italiane dhe prokuroria belge po hetojnë, ndërsa Dumani nuk di asgjë,” tha Berisha, duke shtuar se SPAK “mbyll sytë” ndaj çështjeve që prekin zyrtarë të lartë të qeverisë.
Ai e akuzoi Dumanin për mashtrim lidhur me hetimet për ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal:
“Për McGonigalin thotë se ka 5 vjet që heton. Mashtron. Në vendimin e gjykatës së Uashingtonit, emri i Edi Ramës përmendet 13 herë. Janë marrë para prej tij,” theksoi Berisha.
Berisha e quajti “takimin e qeverisë me bosët e karteleve të drogës” si “një nga njollat më të zeza në historinë e shtetit shqiptar”, duke e cilësuar si diçka që as presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, nuk e ka bërë.
